RTSH 24 Live

Politikë

Gonzato: Mbështesim nismën e ndërmarrë nga SPAK kundër korrupsionit zgjedhor

16 orë para

Gonzato: Mbështesim nismën e ndërmarrë nga SPAK kundër korrupsionit zgjedhor

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka vlerësuar punën e SPAK dhe krijimin e task-forcës për monitorimin e zgjedhjeve të 11 majit duke pasur qëllim parandalimin e krimeve zgjedhore.

Në fjalën e rastin, Gonzato e ka cilësuar këtë hap si një iniciativë pozitive për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa theksoi se problemi i blerjes së votës dhe presionit ndaj votuesve vazhdon të mbetet një shqetësim në Shqipëri.

Financimi, transparenca e fushatës, parandalimi dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore, si dhe trajtimi i shkeljeve të lidhura me zgjedhjet; janë të gjitha kyçe për të siguruar një fushë loje të barabartë dhe integritet me fushatën zgjedhore. Për sa i përket çështjes së integritetit dhe krimeve zgjedhore, dua të them se, para së gjithash, qytetarët presin që partitë politike t’i paraqesin kandidatët me integritetin më të lartë në përputhje me ligjin dhe në përputhje me frymën e tij”.

Së dyti, vazhdoi ambasadori, “kur bëhet fjalë për krimet elektorale, siç konfirmohet në disa raporte të ODIHR-it, blerja e votave dhe presioni ndaj votuesve, fatkeqësisht, vazhdojnë të jenë problem në Shqipëri. Dhe rekomandimi i bërë nga ODIHR është që organet ligjzbatuese të bëjnë të gjitha përpjekjet për të identifikuar dhe hetuar në mënyrë të pavarur të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore në mënyrë të plotë, në kohë dhe transparente. Në të njëjtën kohë, autoritetet duhet të bëjnë gjithashtu përpjekje të sinqerta për të rritur ndërgjegjësimin për blerjen e votave dhe dëmin që ajo shkakton për integritetin e zgjedhjeve.

I dërguari i BE ndër të tjera shprehu miratimin për koordinimin e përpjekjeve mes institucioneve kryesore si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe Policia e Shtetit për të parandaluar krimet zgjedhore dhe për të rritur besimin në procesin zgjedhor.

Përshëndes nismën e ndërmarrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe Policia e Shtetit, për të bashkërenduar veprimet e tyre në prag të zgjedhjeve të majit, për të adresuar krimet e mundshme zgjedhore si një mënyrë për të garantuar besimin në procesin zgjedhor. Mezi pres të dëgjoj më shumë nga këto institucione për iniciativat dhe përpjekjet e tyre koordinuese”, tha Gonzato.

Gonzato gjithashtu theksoi rëndësinë e trajtimit të keqpërdorimit të burimeve administrative, një problem që kërkon më shumë vëmendje për të siguruar kushte të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike.

Keqpërdorimi i burimeve administrative është nënvizuar gjithashtu në disa raporte të ODIHR-it si një çështje që kërkon më shumë vëmendje për të siguruar kushte të barabarta loje. Prandaj do të mirëprisja faktin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rritur rolin e tij monitorues në këtë fushë”, theksoi ai

Së fundmi, shtoi ambasadori Gonzato, dëshiroj të nënvizoj se organizatat e shoqërisë civile luajnë një rol kyç në sigurimin e llogaridhënies së proceseve zgjedhore, siç e dëshmojnë edhe ngjarja e sotme.

Në Shqipëri, ashtu si kudo, organizatat e shoqërisë civile po monitorojnë nga afër proceset zgjedhore dhe shpesh janë ato që ekspozojnë shkeljet dhe paraqesin ankesa pranë autoriteteve përkatëse. Dhe kjo është arsyeja pse vetë BE-ja mbështet disa OSHC lokale në Shqipëri përmes granteve dhe përpjekjeve të tyre mbikëqyrëse, duke përfshirë një temë tjetër që nuk është tema e diskutimit të sotëm, atë të gjuhës së urrejtjes”.

/rtsh.al/