Qyteti i Gramshit festoi 65-vjetorin e krijimit të tij, një ditë e shoqëruar me një sërë aktivitetesh të organizuara nga Bashkia Gramsh. Manifestimi nisi në qendrën e qytetit, ku dhe u inagurua dhe skulptura e mjeshtrit Emanuel Koko "Fyejt e Gramshit".
Skulptori arriti të sjellë përmes punës së tij, trashëgiminë kulturore.
“Kam trajtuar "Fyejt e Gramshit" të cilat janë një trashëgimi shumë e vjetër zonale kulturore”, tha skulptori.
Manifestimet vazhduan deri në mesnatë në qytetin e Gramshit. Një pjesë e aktivitetit u zhvillua në ish-uzinën e armëve në Çelin. Kjo uzinë ka qenë një nga elementët më të rëndësishme në krijimin e qytetit. Me nostalgji, banorët e Gramshit kujtuan punonjësit e parë të kësaj uzine, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në zhvillimin e qytetit.
Kryetari i Bashkisë Gramshit, Besian Ajazi, ka theksuar se “një nga objektet e ish-uzinës së Çekinit është transformuar në një muze dixhital, duke ruajtur kujtimin për rëndësinë historike të saj”.
Me rastin e 65- vjetorit, Këshilli Bashkiak i Gramshit nderoi me titullin "Qytetar Nderi" 11 personalitete të shquara të këtij qyteti të cilët kanë kontribuar në fusha të ndryshme si në arsim, shëndetësi, bujqësi etj.
Më pas qytetarët e Gramshit patën kënaqësinë të ndiqnin një koncert madhështor në pedonalen e Gramshit mes këngëve të këngëtarëve si Era Rusi dhe Ylli Baka.