Presidenti Trump e quajti të mërkurën homologun Volodymyr Zelensky, një "diktator i pazgjedhur", duke i kthyer përgjigje liderit ukrainas që gjatë ditës deklaroi se shefi i Shtëpisë së Bardhë jeton në një "flluskë dezinformimi" të nxitur nga Rusia.
Trump e ndau deklaratën e ashpër në rrjetin e tij social, Truth Social. Ai e quajti Zelensky-n një "humorist paksa i suksesshëm" që i bindi Shtetet e Bashkuara të Amerikës të shpenzojnë 350 miliardë dollarë për të hyrë në një luftë që nuk mund të fitohej dhe as nuk duhej të kishte nisur.
"Një diktator pa zgjedhje Zelensky bën mirë të lëvizë shpejt ose nuk do t'i mbetet më vend," shkroi presidenti Trump.
Duke etiketuar Zelensky-n "një diktator", Trump tha: "Unë e dua Ukrainën, por Zelensky ka bërë një punë të tmerrshme, vendi i tij është shkatërruar dhe miliona njerëz kanë vdekur pa qenë nevoja - Dhe kështu vazhdon."
Trump thotë se ndërkohë, SHBA-ja "po negocion me sukses me Rusinë për fundin e luftës".
Trump gjithashtu ka hedhur edhe një goditje ndaj Evropës, duke thënë se lufta në Ukrainë është "shumë më e rëndësishme për Evropën sesa për ne. Ne kemi një oqean të madh e të bukur si ndarje”, tha ai, ndërsa shtoi se Evropa "ka dështuar të sjellë paqe" në rajon.
Zelenskyy: Trump po jeton në një 'hapësirë dezinformimi'. JD Vance: Për të ardhur keq!
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy akuzoi të mërkurën presidentin e SHBA Donald Trump se jeton në një "hapësirë dezinformimi" të krijuar nga Rusia, komente këto të nxheta që rrezikojnë një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve me Uashingtonin ndërsa lideri amerikan shtyn për t'i dhënë fund luftës.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin tha se do të dëshironte të takohej me Trump, një ditë pasi zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë zhvilluan bisedime që synonin pjesërisht përgatitjen e një samiti të tillë.
Zelenskyy tha se "do të dëshironte që ekipi i Trump të ishte më i sinqertë" në përgjigjen e tij të parë ndaj një sërë pretendimesh goditëse që presidenti amerikan bëri një ditë më parë, duke përfshirë sugjerimin se Kievi ishte fajtori për luftën, e cila hyn në vitin e saj të katërt javën e ardhshme.
Zv.presidenti amerikan JD Vance, i quajti komentet e Zelensky-t "të turpshme". "Ai po sulmon arsyen e vetme për të cilën ekziston vendi i tij, publikisht, pikërisht tani. Dhe është për të ardhur keq. Është diçka që nuk do e ndikojë Presidentin e Shteteve të Bashkuara. Në fakt ka për të pasur efektin e kundërt."
Ushtria ruse kaloi kufirin më 24 shkurt 2022, në një pushtim të gjithanshëm që Putin u përpoq ta justifikonte duke thënë se ishte e nevojshme për të mbrojtur civilët në Ukrainën lindore dhe për të parandaluar anëtarësimin e vendit në NATO. Ukraina dhe aleatët e saj e denoncuan atë si një akt të paprovokuar agresioni.
Ministri i Jashtëm ukrainas: Ne do të mbrojmë të drejtën tonë për të ekzistuar
Ministri i Jashtëm ukrainas thotë se populli i tij dhe presidenti Zelensky "refuzuan t'i dorëzoheshin presionit të Putinit. Askush nuk mund ta detyrojë Ukrainën të dorëzohet".
Në një postim në X, Andrii Sybiha shkruan se Ukraina "i përballoi sulmin më të tmerrshëm ushtarak në historinë moderne të Evropës dhe tre vjet të një lufte totale".
"Ne do të mbrojmë të drejtën tonë për të ekzistuar."
Marrëdhënia Putin-Trump 'minon demokracinë' - Bernie Sanders
Bernie Sanders, një senator i pavarur amerikan, reagoi ndaj përfshirjes së Donald Trump me Rusinë.
“Trump dhe oligarkët e tij amerikanë tani po rreshtohen hapur me Putinin dhe oligarkët e tij rusë”, shkruan Sanders në një postim në X.
"Kjo aleancë Putin-Trump do të thotë të braktisim aleatët tanë, të mbështesim autoritarizmin dhe të minojmë traditat tona demokratike."
/rtsh.al/