Delta Air Lines ka njoftuar se do të ofrojë një kompensim prej 30 mijë dollarësh për secilin pasagjer të avionit që u përmbys gjatë uljes në aeroportin Pearson në Toronto, pasi avioni kishte përjetuar një incident të rëndë.
Kishte 76 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit në fluturim, i cili kishte udhëtuar nga qyteti amerikan i Minneapolis përpara se të bënte uljen e tij në Kanada.
Megjithatë, për mrekulli, të gjithë pasagjerët mbijetuan dhe nuk pati viktima.
Mbetet e paqartë se çfarë e shkaktoi ngjarjen, e cila është nën hetim.
Kompensimi prej 30 mijë dollarësh do të jepet për të ndihmuar pasagjerët të përballojnë shpenzimet e menjëhershme, të cilat mund të kenë lindur pas incidentit, si shpenzime për trajtim mjekësor, transport dhe qëndrime. Një përfaqësues i Delta theksoi se kjo shumë ofrohet pa kushte dhe nuk ndikon në të drejtat e pasagjerëve, duke siguruar se kompania nuk po kërkon të kufizojë mundësinë për kërkesa të tjera kompensimi në të ardhmen-raporton RTSH.
Avokati Rochon Genova, që ka përfaqësuar pasagjerët në këtë rast, theksoi se kjo shumë është një paradhënie që do të ndihmojë pasagjerët të përballojnë pasojat e menjëhershme të incidentit. Sipas tij, Delta mund të kërkojë që këto 30,000 dollarë të zbriten nga çdo kompensim më të madh që mund të ofrohet në të ardhmen.
Incidenti ka ngritur alarmin mbi sigurinë ajrore, por ekipet e shpëtimit dhe ekuipazhi i avionit u vlerësuan për reagimin e shpejtë dhe të koordinuar, pasi ata ishin në gjendje të largonin me sukses të gjithë pasagjerët nga avioni, duke shpëtuar jetën e tyre.
/rtsh.al/