RTSH 24 Live

Botë

Zelensky zbut tonet me SHBA, gati për një marrëveshje investimesh dhe sigurie

24 orë para

Zelensky zbut tonet me SHBA, gati për një marrëveshje investimesh dhe sigurie

I dërguari amerikan për konfliktin në Ukrainë u takua me presidentin Volodymyr Zelensky në Kiev, por nuk dha asnjë deklaratë nëse bisedimet mes tyre kishin ndihmuar në zbutjen e një përçarjeje, që u thellua pas përplasjeve të fundit mes liderëve të dy vendeve.

Pala amerikane anuloi edhe konferencën për shtyp që duhet të mbahej pas takimit. Ndërkohë pas bisedimeve me Keith Kellog presidenti ukrainas zbuti tonet përmes një deklarate në rrjetin X. Ai tha se mes tyre u zhvillua një bisedë produktive për të burgosurit e luftës, garancitë efektive të sigurisë, që sipas Zelensky-t duhet të jenë pjesë e çdo marrëveshjeje paqeje dhe situatën në fushën e betejës.

Ukraina ka kërkuar paqe që në sekondën e parë të kësaj lufte dhe ne mund dhe duhet ta bëjmë paqen të besueshme dhe të qëndrueshme, në mënyrë që Rusia të mos i kthehet më kurrë kësaj luftë. Ukraina është gati për një marrëveshje të fortë dhe efektive investimi dhe sigurie me Presidentin e Shteteve të Bashkuara”, tha Zelensky.

Më herët presidenti amerikan tha se beson se kartat në çdo negociatë paqeje për fundin e luftës në Ukrainë, janë në dorën e Moskës, sepse sipas tij, ai vend ka marrë shumë territor. Trump të hënën pret presidentin francez Macron në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa të enjten kryeministrin britanik Starmer.

Duke iu përgjigjur pyetjeve në platformën X për Ukrainën dhe sigurinë evropiane, Macron tha se gjatë takimit do t’i thotë presidentit amerikan se nuk mund të tregojë dobësi përballë presidentit rus Putin, pasi kjo gjë do ta bënte më të vështirë që ai të merrej me Kinën dhe Iranin. Ndërkohë zv.presidenti amerikan JD Vance tha se  ai besonte se fundi i konfliktit ishte afër dhe se lufta nuk mund të ndalohej pa folur me Rusinë.

/rtsh.al/