Efektivët e Policisë së Tiranës kanë intensifikuar kontrollet për armëmbajtjen pa leje. Rasti më i fundit ishte kapja e dy të rinjve Prend Bala dhe Getjan Basha, të cilët synonin ta shisnin pistoletën, por u pikasën nga policia.
Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Zogu i Zi” në kryeqytet, por të dhënat e Policisë së Tiranës thonë se në javët e fundit është rritur numri i rasteve të sekuestrimit të armëve të zjarrit të llojeve të ndryshme.
Konkretisht, policia saktëson se përgjatë tre javëve të muajit shkurt janë sekuestruar 9 armë zjarri (8 pistoleta dhe një automatik model 56), 6 armë gjahu dhe 3 armë sportive.
Këto armë janë evidentuar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative. Gjithashtu janë shtuar edhe kontrollet rutinë të efektivëve në segmente të ndryshme rrugore ose në mjedise të natyrave të ndryshme.
Njëkohësisht, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë janë fokusuar në përmbushjen rritjes së parametrave të rendit e sigurisë.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/