RTSH 24 Live

Aktualitet

Punimet në Rrugën e Komanit, Rama: Do i jap një hov të ri turizmit

11 orë para

Punimet në Rrugën e Komanit, Rama: Do i jap një hov të ri turizmit

Rruga e Komanit është kantieri më i ri i hapur në bashkinë e Vaut të Dejës, në Shkodër. Aksi prej 31 kilometrash, që lidh dy hidrocentralet, atë të Vaut të Dejës me të Komanit, është njëkohësisht pikënisja e eksplorimit të Alpeve shqiptare për mijëra turistë nga e gjithë bota.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, vizituan sot kantierin ku po kryhen punimet. Rama theksoi se ky rikonstruksion, i cili është i domosdoshëm për funksionimin energjetik të dy hidrocentraleve, do të sjellë një hov të ri për turizmin në zonë, duke e bërë më të sigurt dhe të qasshëm aksin rrugor.

“Kjo rruga që e kishit merak, do të bëhet dhe do t’i japë shumë siguri dhe shumë qëndrueshmëri gjithë punës që bëhet këtu nga dy strukturat e hidrocentraleve, por do t’i japë dhe shumë hov turizmit. Ne çfarë themi e bëjmë, por problemi është se duhet durim. Jo të gjitha bëhen menjeherë, por tani kësaj i erdhi radha dhe do ta bëjmë dhe rëndësi ka ta bëjmë shkëlqyeshëm”, tha Rama.

Zv/Kryeministrja Balluku theksoi se ky projekt, i mbështetur nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, është një kontribut për zhvillimin e qëndrueshëm, duke i shërbyer jo vetëm sektorit të energjisë, por edhe komunitetit dhe turizmit. Pas përfundimit të rikonstruksionit, rruga e re do të ofrojë një infrastrukturë moderne dhe të sigurt për vizitorët që zgjedhin këtë zonë të veçantë të Shqipërisë.

“Është rrugë teknologjike e quajmë ne, që lidh dy hidrocentralet dhe situata e sotme sigurisht krijon probleme shumë të mëdha për sa i përket situatës energjetike midis dy hidrocentraleve. Ne kemi emergjenca të ndryshme, kemi lëvizje të stafeve nga një hidrocentral tek tjetri, ndaj kjo është arsyeja pse rruga futet në rikonstruksion dhe futet nga Korporata Elekroenergjetike Shqiptare për arsye të operimeve që kemi në hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe atë të Komanit. Është një rrugë e amortizuar dhe pas një analize të thellë duke nisur nga viti 2020, por duke pritur edhe shëndoshjen e financave të Korporatës Elektroenergjitike, kemi arritur në rezultatin që kjo rrugë duhet rikonstruktuar. Sigurisht Korporata Elektroenergjetike shqiptare është një nga kompanitë shqiptare që e ka përgjegjësinë sociale koorporative shumë të zhvilluar dhe aty ku operon nuk merret vetëm me produktin kryesor, pra me prodhimin e energjisë, por sigurisht merr masat edhe për sigurinë e punonjësve edhe për operime më të shpejta, por mbi të gjitha edhe për t’i shërbyer komunitetit. Kështu që kryeministër me ndërtimin e kësaj rruge që është rikonstruksion, por i thellësishëm ne arrijmë që të dorëzojmë një rrugë kualitative për sa i përket aspektit të saj teknik, por i ofrojmë dhe komunitetit një rrugë, e cila do të ndihmojë në rritjen e të gjithë pjesës së turizmit në këtë zonë, duke qenë se vitet e fundit vetë Korporata Elektroenergjetike ka identifikuar se numri i turistëve si në digën e Komanit, ashtu dhe në të gjtihë liqenin është shumë i lartë. Me përmbylljen e këtij rikontruksioni prej 31 km të rrugës do të përfitojë gjithë komuniteti”, tha Balluku.

Kjo rrugë e amortizuar, e ndërtuar në vitin 1980, është një nga elementet kyç për operimet midis hidrocentraleve dhe për zhvillimin e turizmit në këtë pjesë të Alpeve shqiptare. Pas përfundimit të punimeve, do të përfitojnë si turistët, ashtu edhe banorët dhe punonjësit e hidrocentraleve.

/rtsh.al/