Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka propozuar tre skenarë për zbatimin e votimit elektronik në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Draftet janë siguruar nga TVSH dhe pritet t’u paraqiten partive politike për negociata mbi implementimin e kësaj metode në disa njësi administrative.
Për shkak të kundërshtimit të Partisë Demokratike për shtrirjen e votimit elektronik në nivel qarku, KQZ ka propozuar tre skenarë të kufizuar në disa zona specifike:
- Skenari 1: Votimi elektronik do të aplikohet në Njësitë Administrative nr.1, nr.3, nr.5, nr.8, nr.9 dhe nr.10 të Bashkisë Tiranë, si dhe në njësitë Bërxull, Prezë dhe Vorë të Bashkisë Vorë.
- Skenari 2: Përfshin votim dhe numërim elektronik në Njësitë Administrative nr.2, nr.3, nr.5, nr.9 dhe nr.10 të Bashkisë Tiranë, si dhe në Bërxull, Prezë dhe Vorë.
- Skenari 3: Votimi dhe numërimi elektronik do të realizohet në Njësinë Administrative nr.5 dhe nr.10 të Bashkisë Tiranë, njësitë Bërxull, Prezë dhe Vorë të Bashkisë Vorë, si dhe në rajonet 1, 2, 3, 4 dhe 5 të Bashkisë Durrës.
Votimi elektronik u pilotua për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2021 në Njësinë 10 të Tiranës, ndërsa në vitin 2023 u zgjerua në bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë.
Megjithëse makineritë e votimit elektronik kanë një kosto të lartë, ato ofrojnë avantazhin e nxjerrjes së rezultateve brenda një ore nga mbyllja e votimit, duke shmangur vonesat dhe konfliktet e numërimit tradicional.
Tashmë pritet vendimi përfundimtar mbi implementimin e kësaj teknologjie në zgjedhjet e ardhshme.
Gazetare: Rugova DUNISHA
/rtsh.al/