RTSH 24 Live

Politikë

Spiropali në Bruksel: Shqipëria e angazhuar për paqe, siguri dhe integrim në BE

13 orë para

Spiropali në Bruksel: Shqipëria e angazhuar për paqe, siguri dhe integrim në BE

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ishte e ftuar nderi në Konferencën e tretë vjetore të Këshillit Global për Rinovimin e Politikës në Bruksel. Këshilli Global është një organizatë ndërkombëtare, në të cilën marrin pjesë politikanë të nivelit të lartë, presidentë kryeministra dhe anëtarë qeverish, kryetarë parlamentesh dhe parlamentarë, kryetarë partish politike, diplomatë, personalitete intelektuale, akademike, kulturore dhe të shoqërisë civile nga shumë vende të botës.

Spiropali mbajti një fjalë “Mbi sinergjinë midis politikës, moralit, drejtësisë dhe paqes”, ku nënvizoi rolin e Shqipërisë për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale. Ajo theksoi se Shqipëria po ecën me vendosmëri drejt anëtarësimit në BE, duke mos pasur asnjë plan alternativ për të ardhmen, përveç perspektivës së anëtarësimit në këtë familje.

“Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim ne Bashkimin Evropian që po ecën më shpejt dhe me më shumë vendosmëri drejt familjes europiane, duke mos pasur asnjë plan B për të ardhmen tonë, përveç perspektives së anëtarësimit në këtë familje, me të cilin na lidhin rrënjët, identiteti, vlerat, vizioni dhe aspiratat popullore. Përpjekjet për ndërtimin e një sistemi që ka në qendër parimet e demokracisë liberale po shkojnë paralel me kontributin tonë për lirinë, sigurinë dhe paqen”, tha Spiropali.

Në fjalimin e saj, Spiropali vuri theksin te kontributet e Shqipërisë për ndërtimin e një sistemi që respekton parimet e demokracisë liberale, duke përmendur veçanërisht rolin e vendit në forcimin e stabilitetit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor.

“Ndër kontributet më të spikatura të Shqipërisë për sinergjinë mes moralit, politikës, të drejtës dhe paqes është investimi ynë për mbrojtjen e paqes dhe të sigurisë kudo në botë, por duke filluar më së pari nga Ballkani Perëndimor. Shqipëria ka marrë aktualisht rolin e lidershipit në zhvillimet dhe integrimet rajonale si edhe rrugëtimin europian të vendeve të rajonit. Kontributi ynë është asimetrik me madhësinë e Shqipërisë, një vend relativisht i vogël për nga territori e popullsia, por protagoniste e spikatur për sigurinë dhe paqen”, shtoi ajo.

Spiropali theksoi se Shqipëria është një shembull i bashkëjetesës harmonike ndërmjet besimeve të ndryshme fetare.

“Korrelacioni funksional midis politikës, moralit, të drejtës dhe paqes po ndihmohet edhe nga një rrethanë jo politike: Në Shqipëri, mes besimtarëve myslimanë, ortodokse, katolikë, bektashi, ungjillorë, por edhe besimeve të tjera e jo besimtarëve, kemi ndërtuar një bashkëjetesë vitale dhe një harmoni, e cila është një ndër thesaret më të çmuara të kombit shqiptar. Toleranca, bashkëjetesa, mirëkuptimi dhe harmonia fetare janë jo vetëm një pasuri e shqiptarëve që rrezaton në kulturën dhe qytetërimet botërore, por edhe një referencë e rëndësishme për jetën politike në Shqipëri”, tha kryetarja e Kuvendit.

/rtsh.al/