Me rreth 1.500 vota më shumë sesa rivali, Vangjel Tavo siguroi të hënën fitoren për garën e kryebashkiakut të Himarës.
Numërimi i votave përfundoi herët në mëngjes në të 36 qendrat e votimit, të cilat dolën me rezultatin 5.022 vota (58.62%) për Tavon kundrejt 3.545 (41.38%) votave që shkuan për kandidatin opozitar Petraq Gjikuria.
Në fjalën e rastit, z. Tavo u shprehu falënderimin qytetarëve himarjotë që i besuan projektit të tij.
"Sot fitoi Himara, fituan himarjotët. Dua të falënderoj banorët e njësisë të bashkisë Himarë, Hore Vranisht, Lukovë, për besimin që patën duke na votuar në mënyrë plebishitare vazhdimësinë e mandatit të vitit 2023. Që sot fillojmë punën për të gjitha ato që kishim premtuar banorëve. Që sot, të bashkuar të gjithë, të majtë e të djathtë, përtej besimit të gjithsecilit, të gjithë për Himarën e bashkuar, të qetë, pa probleme, pa kriza, të gjithë për bashkëjetesën, për të bashkuar të gjitha realitetet në këtë bashki," tha z. Tavo.
Në krye të bashkisë, socialisti ka premtuar se do të shohë me prioritet zhvillimin e turizmit në zonë, përpos problematikave të tjera që shqetësojnë banorët.
Ai përsëriti ftesën për kundërshtarin Gjikuria që t'i bashkohet nismës së tij për një drejtim ndryshe të qytetit.
"Oferta ka qenë e sinqertë dhe vazhdon të jetë e tillë: z. Gjikuria nëse nuk largohet në Amerikë është i mirëpritur të jetë nënkryetar i Bashkisë. Bashkia ka nevojë për të gjithë, problemet nuk kanë ngjyrë, as Himara dhe kështu do të vazhdojmë të drejtojmë bashkinë e Himarës," deklaroi z. Tavo.
Zgjedhjet në Himarë erdhën pasi KQZ-ja i hoqi mandatin ish-kryetarit të zgjedhur Fredi Beleri.
Votimet e djeshme ishin të qeta dhe me probleme vetëm për disa votues, të cilët rezultuan se nuk ishin pajisur me mjetet e rinovuara të identifikimit dhe nuk arritën ta shprehin vullnetin e tyre.
Pjesëmarrja në fund të ditës arriti 37,61%, më e lartë sesa në zgjedhjet e 14 majit 2023 me më shumë se 3 për qind. 8.678 nga 23.074 votues gjithsej iu drejtuan qendrave të votimit.
/rtsh.al/