Puka është një ndër ato qytete të prekura nga harta e re gjyqësore dhe zhvendosja e gjykatës drejt Shkodrës ka sjellë vështirësi të aksesit në drejtësi për banorët. Por këtë vakancë ka nisur ta mbushë zyra e Ndihmës Juridike Falas e hapur për gati një vit.
“Çështjet civile dhe administrative janë ato që dominojnë më shumë, që do të thotë që kemi bërë zgjedhjet administrative për të gjithë ata që kanë shkuar në proces gjyqsorë janë në proces që presin një vendim pozitiv", u shpreh avokati Artur Murra.
Bukurie Pllanaj është një nënë e divorcuar me katër fëmijë që ka gjetur mbështetje në problematikën e saj.
“Kam pas vajzën në shkollën e lartë, ka mbaruar vitin e parë shkollor dhe kemi pas problem me mos marrjen e bursës”, shprehu shqetësimin ajo.
Por jo vetëm ndihma parësore ofrohet në këtë qendër, por edhe ajo dytësore ku problematika e qytetarit ndiqet nga një avokat pa pagesë në të gjithë procesin gjyqësor.
Ndërsa Mark Bardhoshi, kryetari i personave me aftësi të kufizuara në zonën e Pukës e shikon këtë shërbim si një nevojë për dinjitet.
“Sa më shumë mundësi që ne të jetojmë me dinjitet qoftë për vete apo dhe si komunitet", tha Bardhoshi.
Radio Televizioni shqiptar ndoqi nga afër shërbimin juridik flas edhe në Shkodër dhe Lezhë, ku 12 kategori në nevojë e përfitojnë atë.
Në Shkodër është inicuar edhe aksesi i qytetarëve për problematikat me regjistrimin e tokës. Juristja Xhenjola Sulejmani ndërmjetëson qytetarët me kadastrën për të finalizuar këtë proces.
"Raste ka pasur plot sidomos nga Malësia e Madhe", tha Sulejmani.
Projekti për avokat falas zbatohet nga UNDP në bashkëpunim me ministrinë e Drejtësisë dhe financohet nga qeveria austriake. Për drejtorin e Përgjithshëm të Ndihmës Juridike Falas, ky shërbim i përgjigjet edhe kapitullit 23 të negociatave me Bashkimin Evropian.
Në të gjithë vendin janë hapur 20 qendra të tilla ku 180 avokatë angazhohen pa asnjë pagesë nga qytetari.
Gazetar: Kreshnik Mersinllari
/rtsh.al/