Për shkak të festave trafiku në kryeqytet por edhe akset e tjera ndër urbane është rënduar. Për të menaxhuar këtë situatë policia rrugore ka marrë masat duke qëndruar në gatishmëri dhe duke punuar me turne 12-orëshe.
"Jemi me shërbime të përforcuara deri në datën 3 janar. Janë marrë masat për menaxhimin e fluksit të lëvizjes te pjesa e sheshit, por edhe për mbulimin e akseve rrugore interurbane Tiranë–Elbasan, Tiranë–Durrës, Tiranë–Kamëz dhe në pjesën e Rrugës së Arbrit," thotë Jetnor Shira, shef i trafikut në Policinë Rrugore.
Z. Shira ka treguar se për kryeqytetin gjatë ditëve të festës mund të ketë një lehtësim të trafikut nga hapja e unazës së re.
"Dy muajt e fundit kemi hasur një fluks të shtuar te pjesa e ish-sheshit Shqiponja. Presim lehtësim të trafikut," tregon z. Shira.
Deri më tani për muajin dhjetor 2024, 161 shtetas janë arrestuar pasi po drejtonin automjetin në gjendje të dehur. Ndaj Policia Rrugore ka një apel edhe për qytetarët të tregohen të kujdesshëm.
"Të bëjnë kujdes me ecjet agresive, parakalimet e gabuara, tejkalimin e normave të shpejtësisë dhe të mos përdorin pije alkoolike," apelon shefi i trafikut rrugor.
Po ashtu 369 të tjerë gjatë dhjetorit u gjobitën për shkeljen rrugore të drejtimit të makinës pasi ishin nën efekt të pijes por që kjo sasi ishte nën 0,5 gramë për litër.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/