Një borxh i pashlyer ka qenë motivi i një sherri masiv në fshatin gjashtë të Sarandës ku janë përdorur edhe sende të forta. Ngjarja u shënua pak pas mesnate dhe deri me tani policia ka identifikuar 12 persona që kanë marrë pjesë në ngjarjen e cila mund të shkaktonte edhe viktima, për shkak se pjesë e përleshjes janë identifikuar edhe katër punonjës policie dhe një ish efektiv.
Mësohet se gjatë konfliktit ka patur edhe të shtëna me armë zjarri, ndërsa 2 vëllezër të identifikuar si Enea Nexhipi dhe Albi Nexhipi u dërguan në spital pas lëndimeve nga goditja me sende të forta. Pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, ata u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Sarandë për veprime të mëtejshme.
Policia është njoftuar për ngjarjen dhe ka shkuar menjëherë aty, por ka hasur në kundërshtim me dhunë dhe mos bindje, e për pasojë të dyshuarit janë larguar. Në vendngjarje mësohet se janë gjetur gëzhoja pistolete dhe dy automjete të dëmtuara.
Katër punonjësit e policisë të identifikuar deri më tani rezultojnë Alvaro Sulejmani, efektiv i Komisariatit të Policisë Himarë, Kidi Sulejmani, efektiv i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, Ergis Sulejmani, efektiv i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë dhe Redi Sulejmani, student në Akademinë e Policisë në Tiranë.
I përfshirë rezulton edhe Igli Duka, ish-efektiv i Komisariatit të Policisë Sarandë, i arrestuar më pas në Skoci pasi u kap në një ndërtesë ku kultivohej marijuanë. Veç pesë personave të mësipërm, janë identifikuar edhe pjesëtarë të tjerë të fisit Sulejmani e Duka si dhe një shtetas me mbiemër Cocka.
/RTSH/