RTSH 24 Live

Kosovë

Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, KQZ certifikon listën e votuesve: Mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote

04/01/2025

Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, KQZ certifikon listën e votuesve: Mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendimin për certifikimin e Listës së Votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për procesin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Sipas kësaj liste votuesish, numri i qytetarëve me të drejtë vote për këto zgjedhje është 2 milionë e 75 mijë e 868 votues.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës, është: 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, është 104 mijë e 924.

Arianit, Elshani,  udhëheqës i këshillit për operacione zgjedhore tha se numri i votuesve, në një qender votimi, të jetë 999 votues nëpër zona rurale, kurse për zona urbane ai vazhdon të jetë 950.

“Secili votues mund të votoj rreth 10 kandidat, prandaj nuk kemi dashtë të tejkalojmë shifrën e 1 mijë votuesve”, ka thënë Elshani.

KQZ sqaron se votimi me kusht është i përcaktuar vetëm në një qendër të votimit në një komunë, nuk mund të votohet në të gjitha qendrat, transmeton RTK.

Ndërsa Alban Krasniqi, anëtar LVV-së, tha se votimi në përfaqësi diplomatike ballafaqohet me shumë sfida. “Po paralajmëroj një rrezik për disa qendra votimi, sepse nuk kanë hapësirë për një numër të madh të votuesve”.

Në Tiranë dhe Podgoricë u regjistruan pak votues, nuk ka votim fizik

Në Tiranë dhe Podgoricë u regjistruan pak votues, KQZ nuk do të mbajë votim fizik në këto përfaqësi diplomatike

Për shkak se në disa përfaqësi diplomatike numri i shtetasve të regjistruar për votim fizik është shumë i vogël, nën 50 votues, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim që procesi i votimit të mos organizohet në përfaqësitë diplomatike të vendosura në Podgoricë (Mali i Zi) dhe Tiranë (Shqipëri).

Sipas të dhënave të KQZ-së, për të votuar në përfaqësinë diplomatike në Podgoricë janë regjistruar vetëm 8 votues dhe po aq edhe në Tiranë.  Të gjithë votuesit e regjistruar, KQZ do t’i informojë se të njëjtit do të mund të votojnë përmes postës.

Më 29 gusht 2024, KQZ ka miratuar listën prej 35 Qendrave të Votimit me gjithsej 47 vendvotime të planifikuara për votim në 19 Ambasada dhe 16 Konsullata të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 22 shtete të ndryshme.

Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata të Republikës së Kosovës, të vendosura në 19 shtete të ndryshme të botës.

/rtsh.al/