Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar ka hapur garën për Drejtorin e ri të Përgjithshëm të RTSH-së.
Çelja e garës ishte pika fillestare e rendit të ditës në mbledhjen e parë të këtij viti të drejtuar nga kryetari i Këshillit, Leka Bungo.
Duke iu referuar statutit të Radio Televizionit Shqiptar, z. Bungo rreshtoi edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët:
- të jenë shtetas shqiptarë; të kenë kryer arsim të lartë;
- të jetë individ me ndjenjën më të lartë të integritetit, përgjegjësisë, kualifikimeve profesionale dhe meritave;
- të ketë përvojë pune jo më pak se 10 vjet, nga të cilat 5 vjet në pozicion menaxhimi të medies, institucioneve publike joadministratë, në sektorin privat, në shkenca komunikimi, teknologji komunikimi dhe digjitale;
- të ketë përvojë të spikatur në menaxhim dhe drejtim;
- të dëshmojë njohje të sektorit publik, audioviziv, për misionin dhe zhvillimin e tij në përputhje me standardet europiane
Kandidatët që aspirojnë postin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së kanë afat për dorëzimin e kandidaturave dhe platformave të tyre deri në datën 20 janar.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Drejtues u diskutua edhe raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për veprimtarinë e Radio Televizionit Shqiptar në periudhë janar 2022–qershor 2023.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh.al/