Radio Televizioni Shqiptar vjen në këto ditë festive me një program të pasur e të larmishëm në natën e ndërrimit të viteve dhe në ditët e para të janarit 2025.
Ditët festive do të sjellin spektakël, humor dhe emisione të veçanta për të gjitha grupmoshat.
Bora Xhanija, drejtoresha e Programacionit në RTSH, tregon detaje ekskluzive nga skaleta e përgatitur deri në detaje për të mbajtur të mbërthyer publikun shqiptar.
Pasditja e 31 dhjetorit do të nisë me emision për fëmijë nga Ketrin Gjoçaj, teta Keti, për të vijuar me programin festiv të mbrëmjes në orën 20:35, plot humor, muzikë e të ftuar specialë.
"Programacion si i këtij fundviti ju garantoj që nuk keni parë asnjëherë. Si rrallëherë ne kemi bashkuar një pjesë të figurave kryesore të Radio Televizionit Shqiptar: Valbona Selimllari, Ardit Roshi, Ermal Peçi, Fjodora Fjora dhe Krisa Caushi. Të pesë moderatorët do i presin gjithë shqiptarët në tryezën sa familjare, aq edhe të ngrohtë. Do të kemi edhe interpretime. Do kemi Merita Halilin pas rikthimit të saj nga Amerika, ekskluzivisht në RTSH, por edhe këngëtarë të tjerë, si Bujar Qamili, Lorenc Hasrama, Orgesa Zaimi dhe shumë të tjerë që do i zbuloni sot në mbrëmje. Nostalgjia do të jetë pjesë gjithashtu, skeçet e vjetra," tregon drejtoresha Xhanija.
Data 1 janar nis me një urim nga Mirëmëngjesi Shqipëri dhe siç e do tradita vetëm në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar, koncerti i Vjenës nën komentin e maestro Zhani Cikos.
"1 janari do të nisë me një program special të 'Mirëmëngjesi Shqipëri'. Koncerti traditë i Vjenës do të startojë në orën 11:15 deri në orën 13:50. Mbrëmjen e 1 janarit kemi koncertin gala, që është zhvilluar te salla e Orkestrës në RTSH," thotë drejtoresha e Programacionit në RTSH.
Emisioni "Brezballje" do të mbushë pasditen kushtuar adoleshentëve. Nuk mund të mungojë dhe urimi i emisionit të dashur "Jetë shqiptare".
Filmat premierë do të jenë kryefjala e datës 2 janar.
Ekipi drejtues dhe gjithë stafi i RTSH-së kanë muaj që punojnë për të sjellë një programacion të larmishëm me spektakël, muzikë, filma dhe argëtim si asnjëherë më parë.
Gjithçka ju duhet është të merrni telekomandën dhe të zgjidhni Radio Televizionin Shqiptar.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/