Edhe këtë vit, RTSH Korça ka menduar të sjellë një atmosferë të veçantë në familjet e shikuesve përgjatë natës së ndërrimit të viteve.
Një program i pasur me artistët më të mirë të gjithë qarkut juglindor, me këngë e grimca humoristike, si dhe shumë surpriza të tjera.
Nuk do të mungojnë programet e përgatitura edhe për vogëlushët e të rinjtë.
"Nata e ndërrimit të viteve do të fillojë me një program dedikuar fëmijëve, prej orës 19:30, për të vijuar më pas me një program për të rinjtë. Buqetën kryesore do ta mbajë mbrëmja e ndërrimit të viteve, kur serenatistët korçarë, këngëtarët nga i gjithë qarku i Korçës dhe aktorët më të njohur të humorit do të performojnë grimcat e tyre humoristike, duke e bërë këtë mbrëmje të paharrueshme dhe mbresëlënëse për të gjithë," tregon Llazi Saro, kryeredaktor i RTSH Korça.
Programi festiv do të vijojë të ofrojë për publikun një programacion të pasur edhe gjatë ditëve të para të janarit.
"Nuk do të mungojnë koncertet recitale të këngëtarëve më të njohur korçarë e jo vetëm, si dhe surpriza të tjera, që do t'i bëjnë këto tri ditë mjaft të veçanta dhe tepër të larmishme," thotë z. Saro.
Kjo atmosferë festive do të vijë si një kartolinë urimi nga stafi i RTSH Korçës, në shtëpitë e gjithë shqiptarëve kudo ndodhen, duke u bërë kështu ekrani i preferuar në këto ditë festive.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/