Radio Televizioni Shqiptar premton një programacion të larmishëm për ndërrimin e viteve dhe në ditët e para të Janarit 2025-së. Do të jenë 5 ore festë me spektakël, humor, variete, këngë, muzikë e zgjedhur shqiptare e ndërkombëtare për të gjitha moshat dhe shijet.
Orët e festës do të nisin më datë 31 Dhjetor ora 20: 35 me programin e Vitit të Ri, ku do të ndiqni një maratonë festive me lojëra e rubrika nga më të ndryshmet, të cilat premtojnë të zgjojnë e përçojnë emocione të forta te publiku.
“Është një program që e kemi punuar me shumë dashuri. Një program që besoj do ju mbajë njerëzit para ekranit të RTSH-së. Televizioni Shqiptar ka pasuri Arkivën, momentet më të bukura të humorit do të rikthehen në komente të të ftuarve tanë. Ka shumë lojëra, argëtim, muzikë, ka verë të mirë dhe shumë dashuri. Ka një entuziazëm që shqiptarët të zgjedhin RTSH-në”, tregoi moderatori Ermal Peci.
“Radio Televizioni shqiptar në natën e ndërrimeve të viteve do të dhurojë magji. D të kthehemi pas në kohërat kur ishim të lumtur me skeçet më të jashtëzakoshme dhe legjendare. Do të kemi muzikë të zgjedhur, të ftuar që do t’i shihni vetëm në RTSH”, tha moderatori Ardit Roshi.
Lidhjet e drejtpërdrejta me ata që e festojnë Vitin e Ri në punë dhe janë në shërbim të qytetarëve, natën e ndërrimit të viteve do vijnë përmes Krisa Caushit e cila do të jetë së bashku me ta.
“Nuk dua t’i zbuloj të gjitha, por ka shumë gjëra të bukura. Kemi lojëra shumë të bukura, intervistë ekskluzive e një çifti shumë të dashur për publikun. Do të jem në terren për të intervistuar “heronjtë” tanë që edhe në ditë feste janë në gatishmëri të punës”, tha Caushi.
Mes të ftuarve specialë do të jetë këngëtarja e mirënjohur Merita Halili e cila do të përshëndesë shqiptarët nga Radio Televizioni Shqiptar.
Një rrëfim ekskluziv do të vijë nga moderatorja Bieto Sulo në këtë program.
Ekipi drejtues dhe gjithë stafi i RTSH-së kanë muaj që punojnë për të sjellë tek teleshikuesit një programacion të larmishëm me spektakël, muzikë dhe argëtim , duke premtuar t’ju mbajnë të mbërthyer pas ekranit.
RTSH