Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka konsideruar “krim kushtetues” vendimin e Apelit të GJKKO-së që riktheu masën “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin. Berisha duhet të paraqitet dy herë në muaj në policinë gjyqësore, ndërsa në një deklaratë për mediat, ai tha se vendimi ishte “zbatim i urdhrit të Edi Ramës”.
“Mësova më vonë dhe dua tju konfirmoj se kemi të bëjmë me një krim të shëmtuar kushtetues. Skapistët të tmerruar nga krimi i tyre, kanë kryer një krim tjetër që ju e keni të vështirë ta imagjinoni, kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë sepse Sali Berisha po sulmon SPAK dhe Gjykatën dhe në këtë mënyrë tremben dëshmitarët, në një kohë kur 130 dëshmitarë të pyetur kanë dëshmuar se s’kanë marrë kurrë asgjë nga Sali Berisha. Sesi do tremben ata që nuk kanë thënë asnjë fjalë nga Sali Berisha...
Zbatuan urdhrin e Edi Ramës sepse janë tmerruar nga denoncimet e aferave të tyre, vjedhjeve që kanë bërë. Arsyetimi ishte se Berisha po sulmon Gjykatën dhe SPAK-un për të trojkën famzezë të zhytur në krime elektorale e ekonomie dhe gjykokan që masat duhet t’i vendosin në mënyrë që të imponojnë censurë. Është tipike mendësia e Edi Ramës. Sidoqoftë çështja në Stratsburg, avokatët do ta çojën në Strasburg edhe këtë vendim”, u shpreh ai.
I pyetur nëse do të paraqitet të hënë para oficerëve të policisë gjyqësore, Berisha tha se do ta respektojë detyrimin.
“Duke qenë se është një proces që buron nga parlamenti, do paraqitem, s’kam kërkuar asgjë përveç parlamentin. Parlamenti ka dhënë një autorizim, pastaj se çfarë bëjnë këta me njëri-tjetrin...”, deklaroi ai.
Kryedemokrati komentoi edhe vendosjen e taksës në rrugën Thumanë-Kashar, duke e konsideruar si taksë “raciste dhe diskriminuese”.
“Kjo taksë, e cila është një nga më të shtrenjtat në Europë dhe botë, po të kemi parasysh segmentin 20 kilometra, është një taksë jashtëzakonisht problematike, pasi është taksë kundrejt banorëve më të varfër të Shqipërisë dhe më të varfër të Europës. Duhet të sqaroj këtu se të ardhurat për frymë të qarqeve të veriut janë rreth dy herë më të ulëta se të ardhurat për frymë të qarqeve të Shqipërisë së mesme dhe të jugut. Vendosja e një takse prej 4.2 euro vajtje-ardhje për 20 kilometra rrugë të ndërtuara është akt urrejtje kombëtare, është diskriminim antikushtetues pasi taksa e tillë e ngjashme nuk ekziston në autostradat e tjera të kategorisë A që shtrihen nga Vlora në Fier, nga Elbasani në Tiranë, etj.”, u shpreh ai.
/rtsh.al/