RTSH 24 Live

Politikë

“Partizani”, Berisha në SPAK: Dumani fle mbi dosje krimi. SPAK, xhelat i fjalës së lirë

06/01/2025

“Partizani”, Berisha në SPAK: Dumani fle mbi dosje krimi. SPAK, xhelat i fjalës së lirë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur sot në SPAK në përputhje me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit, që vendosi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dy herë në muaj.

Para SPAK-ut u mblodhën edhe mbështetës të Partisë Demokratike.

Pas paraqitjes, Berisha e akuzoi kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, për abuzim me detyrën dhe për mbyllje të dosjeve të krimeve elektorale, duke e quajtur “kryekriminel elektoral”.

“Organizata kriminale, SKAP-i i partisë, kërkoi nga gjykatësi kukull që Sali Berisha t‘i rikthehet “arrestit në shtëpi” për shkakun jo se prish provat, por sepse ka sulmuar gjykatëset dhe prokurorët dhe këtu ne arrijmë në një moment dramatik, në momentin kur këta kriminelë që flenë mbi dosjet e krimit dhe bashkëpunojnë me të, vendosin të behet xhelatë të fjalës së lirë. Sali Berisha i ka sulmuar dhe do i sulmojë të gjithë ata që bashkëpunojnë me krimin, dhe kurrë njerëz të ndershëm që bëjnë ligjin. Do faktoj se si Dumani fle mbi dosje krimi. Dumani është kryekriminel elektoral se ka mbyllur të gjithë dosjet e krimit monstruoz elektoral”, tha Berisha.

Para SPAK, Berisha hodhi akuza edhe ndaj ministrave se po ndikojnë në sistemin e drejtësisë dhe po bashkëpunojnë me bandat kriminale për të blerë vota.

“Unë gjeta aty McGonigal që po i bënte kurs dhe po trajnonte Altin Dunamin. Gjeta aty Lali vjedhësin, por rrihej me kolegët. Gjeta Ulsiun, zihej me Dumanin për çantën Louis Vuitton. Se Ulsiu, pasi mori një pagesë të madhe, shumë i kërkon çunit të Londrës edhe një çantë Louis Vuitton. I thotë ai, për kë e do çantën? Nuk po e vazhdoj bisedën se është intimitet familjar. Në datën 10.2.2020 target është njëri nga banditët e Elbasanit informon se kishin rënë dakord , mes tyre që të mos i kërkonin Taos tenderë publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord t’i kërkonin. Ky mesazh iu përcoll Taos dhe i dhanë afat deri në dhjetor. Taos i kishin kërkuar arrestimin e kundërshtarëve të tyre. Tao i përgjigj: A garantoni se të gjithë ata njerëz do votojnë nëse vendosim në listë ata që doni në burg. Përgjigjja ishte: Po e garantojmë këtë. Më pas Tao tha: Ata do shkojnë në burg këtë vit. Tao është fiks Taulant Balla, një kriminel njëri nga të shumtat të dhëna që ka në dosjen e vet. Në listë, me datën 24 mars bëri check up të vitit 2021, u arrestuan Çapjat. Me kërkesë të Çelëve u arrestuan. Kjo është e vërteta”, tha Berisha.

Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra lidhur me ish-kompleksin Partizani.

/rtsh.al/