Kisha Ortodokse ka bërë me dije se gjendja shëndetësore e Kryepeshkopit Anastas Janullatos është e qëndrueshme. Përmes një njoftimi, Kisha Ortodokse sqaron se Kryepeshkopi, i cili prej disa ditësh ishte shtruar në një spital privat në Tiranë, u dërgua në Athinë për diagnostifikim më të specializuar.
“Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte i shtruar prej disa ditësh në një nga spitalet e Tiranës. Gjendja e tij paraqitej përgjithësisht e stabilizuar, por për diagnostifikim më të specializuar, mjekët sugjeruan të dërgohet jashtë dhe dje, më datë 3.01.2025, u dërgua në Athinë. Sipas deklaratës së mjekëve të spitalit të Ungjillëzimit, në Athinë, ku po trajtohet, me gjithë historikun e tij të sëmundjeve të ndryshme, gjendja e tij shëndetësore është stabël dhe po ndiqet nga mjekët specialistë”, thuhet në njoftim.
Kryepeshkopi Anastas Janullatos u shtrua në një spital privat në Shqipëri më 30 dhjetor, për shkak të një virozë sezonale, ndërsa të premten u dërgua drejt Athinës.
/rtsh.al/