RTSH 24 Live

Aktualitet

SPAK merr nesër në pyetje Ilir Metën. Kreu i PL: Do i pyes ata që firmosën rrëmbimin tim

06/01/2025

SPAK merr nesër në pyetje Ilir Metën. Kreu i PL: Do i pyes ata që firmosën rrëmbimin tim

Prokuroria e Posaçme ka planifikuar që nesër të marrë në pyetje presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet nën hetim për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish. Hetimet ndaj ish-presidentit kanë filluar përmes çështjes CEZ–DIA.

Meta, i cili është nën masën e arrestit burg prej 21 tetorit të vitit të kaluar, ka mohuar kategorikisht akuzat dhe ka deklaruar se është bërë objektiv i një veprimi politik të SPAK.

Për marrjen në pyetje ka reaguar edhe vetë Ilir Meta, i cili thotë se njoftimin e ka marrë nga mediat dhe jo nga strukturat përgjegjëse. Duke e cilësuar SPAK-un si një "organizatë kriminale", Meta shkruan se do të jetë ai që do marrë në pyetje prokurorët që firmosën arrestimin e tij.

“Sapo mësova nga mediat e regjimit, që nesër unë, lideri i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend, qenkam thirrur për t'u pyetur nga organizata kriminale SPAK, e cila firmosi rrëmbimin tim të paligjshëm dhe banditesk.

Padyshim që do jem atje për t'i marrë unë në pyetje dhe pas kësaj seance jam i hapur për çdo pyetje nga mediat që do të jenë të pranishme”, shkruhet në reagimin e Metës.

Kujtojmë se nën hetim është edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi për akuzat e korrupsionit dhe mosdeklarimit të pasurisë. Më 19 nëntor GJKKO la në fuqi masën "Detyrim paraqitje" ndaj saj.

/rtsh.al/