RTSH 24 Live

Botë

Koreja e Jugut- Dështon përpjekja për arrestimin e presidentit, përplasje me ekipin e sigurisë

03/01/2025

Koreja e Jugut- Dështon përpjekja për arrestimin e presidentit, përplasje me ekipin e sigurisë

Policia e Koresë së Jugut pezulloi përpjekjet për të arrestuar presidentin Yoon Suk Yeol, pas një përballje prej gjashtë orësh me ekipin e tij të sigurisë brenda rezidencës së Yoon në zemër të Seulit.

Oficerët e shërbimit ushtarak dhe të sigurimit formuan një mur njerëzor dhe përdorën makina për të bllokuar rrugën e ekipit të arrestimit.

"Ne kemi përcaktuar se arrestimi është praktikisht i pamundur," tha Zyra e Hetimit të Korrupsionit (CIO), e cila ka hetuar deklaratën jetëshkurtër të ligjit ushtarak të Yoon muajin e kaluar.

Përkrahësit e Yoon, të cilët kanë qenë që prej disa ditësh përpara rezidencës presidenciale për ditë të tëra, brohoritën "fituam" pas pezullimit të arrestimit.

Ekspertët thonë se si një ish-kryeprokuror, Yoon është shumë i vetëdijshëm për boshllëqet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e tij.

Hetuesit kanë afat deri më 6 janar për ta arrestuar atë përpara se të skadojë urdhër-arresti aktual.

Kjo do të thotë se ata mund të përpiqen të arrestojnë Yoon përsëri gjatë fundjavës, edhe pse kjo mund të jetë edhe më sfiduese pasi turmat ka gjasa të shtohen.

Yoon është nën hetim për abuzim me pushtetin e tij dhe nxitje të një kryengritjeje kur u përpoq të vendoste ligjin ushtarak në fillim të dhjetorit.

Masa, edhe pse jetëshkurtër, çoi në një krizë politike dhe Yoon u pezullua nga detyra.

Një gjykatë e Seulit lëshoi një urdhër arresti për të në fillim të kësaj jave, pasi ai shpërfilli tre thirrje që të paraqitej për t'u marrë në pyetje.

/rtsh.al/