Kreu Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, paralajmëroi në një intervistë për KosovaPress për ndryshimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Nevojitet marrëveshja finale me Serbinë, ujdia e Brukselit është një barrë por me një lobim intensiv do të ndryshohet. E vetmja gjë që mundet me ecë përpara këtë projekt është një marrëveshje finale. Jo si kjo marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit. Unë nuk po them se kjo nuk ka me na mbet si një barrë, pasi barrë do të jetë. Unë jam i bindur se gjithçka mund të ndryshojë dhe të plotësohet. Por duhet të ketë një qasje proaktive dhe një lobim intensiv. Duhet të jemi te kryeqytetet kryesore të Evropës dhe në Uashington”, tha Krasniqi.
Kryetari i partisë më të madhe opozitare theksoi se draft-statuti i Asociacionit i hartuar nga BE-ja është totalisht i papranueshëm pasi krijon autonomi për komunitetin serb në Kosovë.
“Ai dokument nuk mundet të shkojë më tutje sepse është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Vet përfshirja e rezolutës 1244 në preambulë dhe po marrë shembullin e arbitrazhit si mjet dhe proces për të bërë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Asociacionit dhe organeve qendrore është totalisht i papranueshëm dhe del përtej kushtetutës së Kosovës. Për neve si dokument është i papranueshëm dhe duhet të ndryshojë. Ka qenë e rrugës që vet Qeveria e Kosovës të shkruajë statutin e Asociacionit vet qeveria. Ta bënte si e sheh Kosova brenda Kushtetutës së vet pa krijuar etnitetet të ri, autonomi dhe kompetenca shtesë. Me leju vetëm disa kompetenca shtesë në fusha të specifikuara. Shpërfillja, injorimi dhe tendenca me i mashtru të gjithë e ka sjell që krejt QUINT-i me mbështetë këtë draft”, deklaron lideri opozitarë.
Krasniqi tha ndër të tjera se e konsideron të domosdoshme rikthimin e dialogut dhe sipas tij një gjë e tillë arrihet vetëm me PDK-në në pushtet. Ai kritikoi kryeministrin Kurti se përgjatë katër viteve në pushtet ka dëmtuar raportet me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës dhe hodhi poshtë zërat për një bashkëqeverisje me Vetëvendosjen.
Gazetar: A.Mata
/RTSH/