Një defekt në linjën e furnizimit la të dielën pasdite pa energji elektrike disa nga qytetet më të mëdha në perëndim dhe jug të vendit.
Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) sqaroi se fillimisht linja 220 kilovolt Tirana 2–Rrashbull pësoi avari rreth orës 17:37, duke sjellë si rezultat ndërprerjen e energjisë në nënstacionet e rajonit Durrës, Lushnjë, Fier, Vlorë, Kuçovë e Berat.
"Pas rreth 30 minutave u bë e mundur rikthimi i energjisë në nëstacionet e rajoneve të mësipërme, ku vlen të përmendet se u vendosën në punë vetëm fiderat e rëndësisë së veçantë, spitale dhe qendër qyteti, duke lënë me kufizime të thella të gjithë pjesën tjetër të popullatës.
Në orën 17:52, energjia u ndërpre përkohësisht dhe në rajonin Sarandë, e cila u rikthye përsëri në punë me kufizime," njoftoi OST-ja.
Për shkak të fluksit u krye rivendosja graduale në punë e ngarkesës elektrike në rajonet e mësipërme.
Operacioni vazhdoi "nga Dispeçeria Qendrore TL në bashkëpunim me Dispeçeritë Rajonale Durrës, Berat, Fier, Gjirokastër, Vlorë, në varësi të udhëzimeve dhe hapësirave deri në rivendosjen e skemës normale të furnizimit," thuhet në njoftimin e Operatorit të Transmetimit.
Ndër zonat e prekura, raportohet se defekti shpëtoi nga terri vetëm Portin e Durrësit, që u furnizua me energji nga gjeneratorët e emergjencës.
Në Durrës elektriciteti u rikthye në disa lagje rreth orës 18:45. Në orën 19:00 u ndriçua sërish qyteti i Fierit dhe 10 minuta më vonë edhe Lushnja e Berati. Në rrethinat dhe disa nga fshatrat e qarqeve më sipër u raportuan edhe më vonë probleme me furnizimin me energji.
Pa drita mbetën edhe Kavaja, Shkozeti e Rrogozhina.
/rtsh.al/