RTSH 24 Live

Kosovë

“LVV” nis ankesë në “PZAP”-Kërkon anulim të vendimit për Listën Serbe

02/01/2025

“LVV” nis ankesë në “PZAP”-Kërkon anulim të vendimit për Listën Serbe

Lëvizja Vetëvendosje, partia qeverisëse në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili lejoi Listën Serbe që të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

VV-ja përmes një komunikate për media ka vlerësuar se kjo është bërë në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, teksa kanë njoftuar se kanë dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

“Sot, Lëvizja  VETËVENDOSJE! ka dorëzuar përmes postës ankesë në PZAP kundër vendimit për certifikimin e Listës Serbe në emër të KQZ-së, me kërkesën për anulimin e këtij vendimi. Nxjerrja e vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe. Secili vendim i KQZ-së duhet t’i nënshtrohet votimit nga anëtarët e KQZ-së”.

Vetëvendosja ka thënë se përmes kësaj ankese “synon ta prapësojë këtë vendim të paligjshëm, të mbrojë rendin ligjor dhe të  pamundësojë certifikimin e Listës Serbe”.

Sipas VV-së, ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar.

“Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm. Lista Serbe ka qenë dhe mbetet partia e kryeterroristit Radojçiç.. Ajo dikur përdorej nga Radojçiç kundër shtetit të Kosovës, kurse tani po shërben si struktura që mbron dhe amniston terrorizmin”.

Komisioni Qendror Zgjedhor në Kosovë (KQZ) të martën ka certifikuar Listën Serbe për Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2024, duke konstatuar se vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për certifikim të Listës Serbe është i plotfuqishëm dhe duhet zbatuar.

KQZ, javë më parë mori vendim për moscertifikim të Listës Serbe, kjo pasi që dy anëtarë të KQZ-së, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje – partia në pushtet – Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër.

Disa prej arsyeve për moscertifikimin e Listës Serbe janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të saj Elek, gjatë prezantimit të listës së kandidatëve për zgjedhjet e shkurtit, dhe për raportet me terroristin Milan Radojiçiç – personi i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.

Lista Serbe u ankua në PZAP ndaj këtij vendimi.

PZAP në anën tjetër aprovoi ankesën e subjektit politik Lista Serbe në lidhje me moscertifikimin nga Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Në vendimin e lëshuar nga PZAP-ja, KQZ-ja ishte urdhëruar që ta certifikojë Listën Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik.

Sipas PZAP-së, Lista Serbe, së bashku me kandidatët për deputetë i ka plotësuar kushtet ligjore për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet e 9 shkurtit.

LVV nuk u ndal me keq, kjo parti politike u ankua edhe në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP-së kundër Listës Serbe.

Megjithatë edhe Gjykata Supreme e Kosovës e hodhi poshtë si të palejuar ankesën e LVV-së, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa PZAP-së në lidhje me certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

 

 

/rtsh.al/