RTSH 24 Live

Aktualitet

Turistja austriake humb rrugën në Karaburun, shpëtohet nga policia dhe Forca Delta

04/01/2025

Turistja austriake humb rrugën në Karaburun, shpëtohet nga policia dhe Forca Delta

Shërbimet e Policisë Kufitare në Dhërmi në bashkëpunim me Forcën Delta i kanë ardhur në ndihmë një turisteje nga Austria, e cila kishte humbur rrugën gjatë eksplorimit në gadishullin e Karaburunit dhe nuk mund të kthehej pas.

Sipas njoftimit të policisë, bëhet e ditur se mëngjesin e ditës së sotme, shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi “morën njoftim nga një operator turistik se një turiste e huaj kishte humbur rrugën në një zonë të pyllëzuar në Karaburun dhe kërkonte ndihmë. Menjëherë u krijua një grup pune nga shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi dhe Forca Delta, në bashkëpunim me specialistin e Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Vlorë dhe Stacionin e Policisë Orikum, për të nisur kërkimet

Pas disa orësh kërkimesh, u bë i mundur lokalizimi i turistes austriake, në zonën e quajtur “Gjiri i Nezhës”, të cilës iu dha ndihma e nevojshme dhe u transportua drejt Himarës me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, në gjendje të mirë shëndetësore. Turistja falënderoi shërbimet për reagimin dhe mbështetjen e ofruar.

Policia e Vlorës mbetet e angazhuar për të ndihmuar qytetarët dhe turistët në çdo situatë që kërkon ndërhyrje, duke garantuar sigurinë e tyre në çdo moment.  Për çdo rast emergjence, mund të kontaktoni në numrin pa pagesë 112”, thuhet në njoftimin e policisë.

/rtsh.al/