RTSH 24 Live

Aktualitet

Progresi i Drejtësisë, reduktohen me 50% çështjet në Gjykatën e Lartë

30/12/2024

Progresi i Drejtësisë, reduktohen me 50% çështjet në Gjykatën e Lartë

Në katër vitet e fundit Gjykata e Lartë thuajse ka përgjysmuar numrin e dosjeve të prapambetura, nga 32.400 në 18.665 çështje, që presin të shqyrtohen.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, analizoi punën njëvjeçare të institucionit që drejton dhe vlerësoi faktin se vetëm përgjatë vitit 2024 u dhanë 7.639 vendime.

Pavarësisht ecurisë pozitive, Sadushi theksoi se vazhdon të mbetet shqetësues mungesa e profesionalizmit në rekurset e drejtuara nga ana e avokatëve.

Sadushi komentoi edhe përballjen e ditëve të fundit me Gjykatën Kushtetuese për pengesën që iu bë nisjes së procedurës për mbarimin dhe zëvendësimin e mandatit të Olta Zaçajt.

Marrëdhëniet e Gjykatës së Lartë nuk kanë qenë të rregullta as me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe kjo evidentohet te nisja e procedurave për zëvendësimin e mandatit të anëtarit të ndarë nga jeta pak kohë më parë, Darjel Sina.

Sadushi dha edhe lajmin se në qershor të vitit 2025 në Tiranë do të zhvillohet konferenca vjetore e kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Gazetar: Kreshnik Mersinllari

/rtsh.al/