RTSH 24 Live

Aktualitet

Kërkoi pavlefshmërinë e përgjimeve të Sky ECC, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Pëllumb Gjokës

30/12/2024

Kërkoi pavlefshmërinë e përgjimeve të Sky ECC, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Pëllumb Gjokës

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Pëllumb Gjokës, i cili kërkoi pavlefshmërinë e përgjimeve të aplikacionit Sky ECC, të cilat janë përdorur nga GJKKO si pjesë e provave dhe dhënien e masës së sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin. Kërkesa është rrëzuar në mënyrë unanime nga gjyqtarët e Kushtetueses.

Gjoka u arrestua gjatë operacionit të koduar “Metamorfoza” si të përfshirë në një grup kriminal që ushtron aktivitetin e tij në Shkodër dhe Tiranë. Përfshirja e tij doli pikërisht nga zbardhja e përgjimeve të Sky ECC.

Pëllumb Gjoka, akuzohet nga SPAK për vrasje dhe organizmin të kushteve të vrasjeve të disa personave duke bashkëpunuar me grupet kriminale si dhe për korrupsion aktiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve të drejtësisë.

“Sot, më 30.12.2024, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim çështjen me kërkues Pëllumb Gjoka dhe me objekt: “ Shfuqizimi i vendimeve nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 38, datë 31.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krim in e Organizuar; nr. 00-2023-2238 (364), datë 22.12.2023, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për pjesën që kanë disponuar për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” ndaj kërkuesit. Shfuqizimi i shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 dhe i pikës 4 të nenit 6, si dhe i pikës 2 të nenit 42 të ligjit nr. 95/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, për shkak se cenojnë pavarësinë dhe paanësinë e gjykatësve të posaçëm.”.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, bazuar në nenet 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi, njëzëri, rrëzimin e kërkesës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

/rtsh.al/