RTSH 24 Live

Aktualitet

Korçë, tregtonin lëndë piroteknike, policia prangos 2 shtetas

30/12/2024

Korçë, tregtonin lëndë piroteknike, policia prangos 2 shtetas

Policia e Korçës bëri të ditur se si rezultat i kontrolleve të shtuara në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë periudhës së festave, ka goditur 2 raste të shitjes së lëndëve piroteknike.

Lidhur me këtë janë proceduar penalisht 2 shtetasit që shitnin fishekzjarrë dhe kapsolla në dyqanet e tyre, në Devoll dhe në Pogradec.

“Shërbimet e Komisariateve të Policisë Devoll dhe Pogradec, nga kontrollet e përditshme në terren, kanë konstatuar 2 dyqane ku shiteshin lëndë piroteknike. Në vijim të veprimeve për këto raste, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: M., 56 vjeç, banues në Devoll dhe L. B., 58 vjeçe, banuese në Pogradec. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhjetëra fishekzjarrë dhe kapsolla që u gjetën në këto 2 dyqane.”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Në zbatim të planit të masave, shërbimet e Policisë do të jenë në gatishmëri të përforcuar, për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë ditëve festive. Policia apelon për qytetarët që të denoncojnë rastet e tregtimit apo përdorimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm për ndëshkimin e shtetasve përgjegjës.

/rtsh.al/