RTSH 24 Live

Kosovë

Tensionet Serbi-Kosovë, Borrell: I alarmuar nga situata në veri, përshkallëzimi po bëhet i rrezikshëm! Nuk do ta tolerojmë

23/06/2023

Tensionet Serbi-Kosovë, Borrell: I alarmuar nga situata në veri, përshkallëzimi po bëhet i rrezikshëm! Nuk do ta tolerojmë

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell është shprehur “shumë i alarmuar” nga situata në veri të Kosovës. Në një postim në Tiwtter, Borrell dënon arrestimet e serbëve të Kosovës dhe marshimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut, ndërsa shton se Serbia po përdor një retorikë “të rëndë”.

Takimi i nivelit të lartë në Bruksel duket se nuk është pasuar me hapa drejt normalizimit të situatës, ndërsa për Borrell përshkallëzimi po bëhet “i rrezikshëm”.

Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë”, shkruan Borrell.

Policia e Kosovës njoftoi këtë të premte (23 qershor) se ka vënë në pranga një të serb, të dyshuar për përfshirje në sulmin ndaj KFOR-it më 29 maj. Ndërsa 3 efektivët e Kosovës vijojnë të ndodhen në paraburgim në Beograd.

Borrell zhvilloi të enjten në Bruksel një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më pas me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Takimet u zhvilluan të ndara, ndërsa në përfundim të tyre, Borrell bëri me dije se kishte kërkuar lirimin e efektivëve të Kosovës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në veri të Kosovës.

Ndërkohë Kurti deklaroi se në veri mund të mbahen zgjedhje të parakohshme por që gjithçka duhet të paraprihet nga sundimi i ligjit.

Kujtojmë se tensionet në veri të Kosovës vijojnë që prej 26 majit, me vendosjen e kryetarëve të rinj shqiptar të komunave. Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. 

/rtsh.al/