RTSH 24 Live

Kosovë

I përshirë në sulmin ndaj KFOR, Policia e Kosovës arreston serbin e njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”

23/06/2023

I përshirë në sulmin ndaj KFOR, Policia e Kosovës arreston serbin e njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”

Policia e Kosovës ka vënë në pranga të dyshuarin serb për përfshirje në sulmin ndaj KFOR-it më 29 maj. Policia ka bërë me dije se i arrestuari N.O me vendbanim në Mitrovicën e Veriut, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, dyshohet si i përfshirë në sulmin dhe rrezikimin e pjesëtarëve të KFOR-it gjatë protestave të serbëve lokalë për zgjedhjen e katër kryetarëve të rinj në veri.

“Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të realizuara nga Policia e Kosovës, sot në orët e paradites është arrestuar i dyshuari mashkull serb N. O., me vendbanim në Mitrovicë Veri, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, si i dyshuar për përfshirje në rast të sulmit dhe rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare - KFOR-it.

Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

/rtsh.al/