Mes tensionesh dhe debatesh të forta është zhvilluar seanca e sotme (20 korrik) plenare, ku opozita kërkon me insistim pranimin e kërkesës së tyre për zhvillimin e interpelancës urgjente me kryeministrin Edi Rama. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se Rama duhet të jetë i pranishëm në seancë për të dhënë llogari “për bashkëpunëtorin e tij të ngushtë”.
“Respekt maksimal për të gjithë punonjësit e gardës, por s’ka asnjë nevojë për prezencë të gardës në sallën e seancës plenare. Ata futen në sallë kur cenohet siguria, por ne nuk po cenojmë sigurinë e askujt. Juve ju ka kapur frika se vetëm në një dosje si ajo inceneratorëve janë gjysma e qeverisë. Arben Ahmetaj vijon merr rrogën në arrati sepse vijon të jetë deputet. Tani ky do vijë të bëjë ndonjë reagim apo do t’i japi mend BE? BE i kapi dje në vjedhje. Ta lërë Kosovën se Kosovës ka kush i del zot, ka institucionet e vet legjitime, pro të vijë të japë llogari për bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, pse vazhdon paguan hajdutët e inceneratorëve. Thirreni Ramën ta lërë plazhin se boll është nxirë", tha Bardhi.
Ministrja Elisa Spiropali iu përgjigj duke thënë se në lidhje me çështjen e Arben Ahmetajt, maxhoranca votoi pro kërkesës për arrestimin e tij.
“Ju, te kërkesa për mocion, keni kërkuar mocion urgjent. Lista e folësve për mocionin me debat të fillojë detyrimisht me deputetë iniciues të mocionit, më pas të tjerët. Kjo ishte kërkesa dhe kur deputetët e tjerë kuptuan që këta të foltores do flasin të parët, paraqitën kërkesë me të njëjtën çështje. Gara është mes jush kush do flasë i pari. Sa i takon çështjes ne kemi dhënë autorizimin për arrest në seancën e mëparshme. Ne nuk flasim për drejtësinë, ne veprojmë dhe i mbështesim organet e drejtësisë. Nuk bëjmë politikë të ditës me çështje të drejtësisë”, u shpreh Spiropali.
Për shkak të situatës së krijuar, seanca u ndërpre për 30 minuta.
/rtsh.al/