RTSH 24 Live

Kulturë

Teatri Kombëtar nis sezonin e ri me bashkëprodhime, premiera e "Faustit" në tetor

13/09/2024

Teatri Kombëtar nis sezonin e ri me bashkëprodhime, premiera e "Faustit" në tetor

Teatri Kombëtar po bëhet gati për një sezon të ri të ngjeshur me bashkëpunime përtej Shqipërisë.

Në një intervistë për RTSH 24, drejtori i Teatrit, Altin Basha, zbuloi kalendarin dhe aktivitetet paralele që kanë nisur të organizohen prej fillimshtatorit.

"Ne kemi disa aktivitete paralele. Kemi nisur për një projekt bashkëprodhimi me Teatrin e Sardenjës dhe me Institutin Italian të Kulturës. Kemi të ftuar në skenën e Teatrit Kombëtar edhe Davide Iodice, një regjisor italian mjaft i rëndësishëm. Ai është fituesi i shfaqjes më të mirë me 'Vizita' te teatri 'Migjeni', si edhe i skenografisë më të mirë. Ai vjen së bashku me dramaturgun, kompozitorin dhe 'light-designer' e Teatrit të Sardenjës për të vënë në skenë "Faustin", një version të përpunuar të veprës së mirënjohur," deklaroi z. Basha.

Premiera e "Faustit" pritet të jetë në fund të tetorit. Puna ka nisur me intensitet me një kast të mirënjohur, mes tyre Ema Andrea dhe në rolin kryesor Hervin Çuli, së bashku me aktorë të tjerë të Teatrit Kombëtar.

"Ndërkohë Teatri ka marrë pjesë në dy festivale në fillim të shtatorit, në Korçë dhe në Festivalin e Ferizajt. Do të nisim reprizat edhe për shfaqjen 'Turjela', e cila është premiera e fundit e realizuar në skenën tonë në pranverë.

Paralelisht bëhemi gati për showcase-n Shqipëri–Kosovë, që është një ngjarje e rëndësishme kulturore, për herë të parë në Shqipëri. Showcase hapet me 'Faustin' dhe për pesë ditë me radhë do të shfaqen 10 apo 12 vepra. Do të jenë të ftuar rreth 100 gazetarë, kritikë, selektorë nga e gjithë Europa, të cilët vijnë për të parë nivelin e teatrit shqiptar për ta ftuar në skenën e madhe ndërkombëtare," tregoi drejtori i Teatrit Kombëtar.

Sivjet gjatë nëntorit në Prishtinë do të hapet edhe Festivali "Moisiu". Ky aktivitet i rëndësishëm do të përfshijë teatrot shqiptarë edhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut. Teatri Kombëtar do të përfaqësohet me katër vepra.

/rtsh.al/