RTSH 24 Live

Politikë

Ndërron jetë në moshën 44-vjeçare ish-deputeti i PD, Gerti Bogdani

18/09/2024

Ndërron jetë në moshën 44-vjeçare ish-deputeti i PD, Gerti Bogdani

Ka ndërruar jetë në moshën 44-vjeçare ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani. Sipas informacioneve paraprake siguruar nga RTSH, mësohet se Bogdani ka pësuar arrest kardiak.

Bogdani është gjetur pa shenja jete në ambientet e një hoteli në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe është dërguar në spitalin “Nënë Tereza” ku është konstatuar vdekja e tij.

“Më datë 18.09.2024, rreth orës 11:30, në ambientet e një hoteli në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", është gjetur pa ndjenja shtetasi G. B. Ky shtetas është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, por ka ndërruar jetë.

Nga veprimet e kryera paraprakisht dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale”, thuhet në njoftim.

Gerti Bogdani (lindur më 7 korrik 1980 në Tiranë), ka kontribuuar në Partinë Demokratike për 8 vite, ku ka mbajtur karrigen e deputetit. Karrierën politike Bogdani e filloi në vitin 2007, ku kandidoi me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fitoi.

Gjatë kësaj kohe vazhdoi edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD. Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidoi në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009, dhe u zgjodh deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Nga viti 2009 e në vijim, ai vazhdoi aktivitetin e tij si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Në vitin 2011 Bogdani u zgjodh zv/president i "Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë" (International Young Democrat Union - IYDU) e më pas, në janar të vitit 2012, nën/Kryetar.

Në shtator 2015 Bogdani u zgjodh Kryetar i IYDU, ne Kongresin e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar që mbajti një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.

/rtsh.al/