RTSH 24 Live

Politikë

Lamtumirë Gerti Bogdani! Ish-deputeti përcillet për në banesën e fundit. Kolegë, miq e familjarë kryen homazhe në nder të tij

11 orë para

Lamtumirë Gerti Bogdani! Ish-deputeti përcillet për në banesën e fundit. Kolegë, miq e familjarë kryen homazhe në nder të tij

Ish-deputeti demokrat Gerti Bogdani është përcjellë në banesën e tij të fundit pas homazheve dhe nderimeve të fundit që iu bënë nga miq, familjarë, bashkëpunëtorë e kolegë ndër vite në hollin e Kuvendit.

Trupi i tij do të prehet në varrezat e Sharrës, ndërse nderimet iu kryen edhe nga personalitete më të larta të vendit, kolegë të tij në të dy kahet e politikës, por edhe nga personalitete nga bota e artit dhe shoqërisë civile.

Homazhet u zhvilluan nga ora 10:00 ku ishin deputetët e familjes së tij politike që kryen të parët nderimet për kolegun dhe mikun e tyre.  

Në emër të grupit parlamentar të PD, Luçiano Boçi ka shprehur ngushëllimet familjarëve, ndërsa thotë se kjo është një ditë e trishtë edhe për familjen e PD që humbi mikun dhe kolegun e përkushtuar.

“Po i japim lamtumirën mikut e bashkëpunëtorit tonë, mikut dhe shokut tim personal, Bogut siç e thërrisnim në konfidencë. Gerti ishte dëshmi si duhet të jetë një politikan, ishte shembull si duhet të jetë një familjar dhe ishte shembull se si një njeri duhet të ndërtojë karrierën e tij, angazhimin publik dhe komunikimin politik. Dhimbja jonë është shumë e madhe, nga rastet kur fjalën nuk e përcjellin dot trishtimin e familjes tonë politike. Geti udhëton sot drejt parajsës, por kishte ndërtuar parajsën e tij të vogël në familje e shoqërinë e tij. Ende nuk e besojmë dot ikjen e tij. Do të mbetet në kujtimet tona, ndoshta kujtimet nuk mjaftojnë dhe do donim që ai të ishte mes nesh. Sot jemi në meditimin se pse Gerti duhet të ikte kaq i ri, por fatet ndonjëherë janë të tilla dhe detyra jonë është ta mbajmë gjithmonë gjallë kujtimin e tij. Lamtumirë Gert në emër të familjes sonë politike. Shumë ngushëllimeve familjarëve. Gerti do të jetë pjesë e kumtit politik të PD”,  tha Boçi.

Nderimet e fundit për Gerti Bogdanin u kryen edhe nga presidenti Bajram Begaj, i cili i shprehu ngushëllime familjarëve.

“Ishte një njeri me vlera të jashtëzakonshme morale dhe politike. Ishte një njeri me një jetë aktive publike e politike. Ngushëllime familjes”, tha Begaj.

Edhe ministrat dhe deputetët e Partisë Socialiste ishin aty për të nderuar kujtimin dhe kontributin e Gerti Bogdanit në jetën politike dhe shoqërore të vendit.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi shprehu dhembjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit demokrat. Duke e konsideruar një politikan model, Peleshi shprehet se standardi që Bogdani ofronte duhet të ndiqet.

“Një djalë i mirë, i shkëlqyer i Tiranës dhe Shqipërisë, politikan model, një qytetar shembullor. Kështu që dhembja shumëfishohet. Dua ti bashkohen ngushëllimeve dhe dhembjes që gjithkush ndan, edhe dhembjen e grupit të deputetëve të PS që janë sot këtu për të përcjellë mikun e  tyre, një njeri me kaq shumë vlera që do i mungojë familjes, miqve dhe politikës shqiptare. Përfaqësonte një standard për të mos u humbur dhe për t’u ndjekur. Ikje e parakohshme. Kjo është jeta dhe këto momente duhet të na bëjnë më të mirë”, deklaroi Peleshi.

Partia Demokratike ka shpallur ditë zie në nderim të figurës së Bogdanit dhe ka anuluar të gjitha takimet politike në të gjithë vendin dhe ulur flamujt në gjysmë shtizë.

Gerti Bogdani u nda nga jeta  në moshën 44-vjeçare një ditë më parë si shkak i një arresti kardiak. Ai e nisi karrierën politike në radhët e Partisë Demokratike kur kandidoi për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fitoi asokohe. Ai ka mbajtur edhe pozicionin e drejtuesit të forumit rinor të PD si dhe deputet në dy legjislatura.

/rtsh.al/