Prokuroria Kukës jep masa sigurie për 22 punonjës së policisë së Shtetit, përvetësuan 2 milionë lekë nga vjelja e gjobave për makinat me targa të huaja.
Në kuadër të operacionit të koduar “Targa e huaj”, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zbatuar Urdhërin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, ndaj 22 punonjësve të policisë, të dyshuar për veprat penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorim detyre”.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës kërkoi masa sigurimi “Arrest në burg”, ‘Arrest në shtëpi’, ‘Pezullim nga detyra’ dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për 22 punonjës të Policisë së Shtetit, Seksioni i Qarkullimit Rrugor në autostradën Milot-Morinë nën akuzë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 135 të Kodit Penal.
Nga hetimet disa mujore me metoda speciale nën drejtimin e Prokurorisë, u bë e mundur dokumentimi me prova ligjore i abuzimit të punonjësve të policisë së qarkullimin rrugor, në rastet e konstatimit të shkeljeve nga ana e drejtuesve të mjeteve me targa të huaja.
Duke keqpërdorur aksesin në sistemer dhe databazat e Policisë së Shtetit, punonjësit e policisë në terren, konstatonin shkeljen, administronin shumën monetare duke i dhënë drejtuesit të mjetit procesverbalin përkatës dhe në vijim nuk kryenin arkëtimet dhe nuk bënin pasqyrimet përkatëse në sistem, me qëllim përvetësimin në mënyrë të paligjshme të vlerave monetare nga gjobat administrative, në shumën prej 2.200.000 lekë.
Operacioni i AMP, ministri Hoxha: Lufta kundër paligjshmërisë fitohet duke patur një trupë policore të aftë
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka reaguar pas një operacioni të drejtuar nga AMP dhe Prokuroria që goditi 22 punonjës dhe ish-punonjës të Policisë Rrugore, që akuzohet se kanë vjedhur mbi 2 mln lekë duke shpërdoruar detyrën.
Hoxha shprehet se falë një hetimi profesional të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Kukësit u vunë para përgjegjësisë ligjore 22 punonjës e ish-punonjës të Policisë Rrugore.
“Rritja e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit, e cila vetë po kalon një proces ripërtëritje të trupës drejtuese, lidhet ngushtësisht me garantimin e integritetit të punonjësve të organizatës.
Lufta kundër paligjshmërisë fitohet duke patur së pari, një trupë policore të aftë për t’ju përgjigjur sfidave të ndërtimit të SHQIPËRISË2030, ndaj gjithë fokusi ynë do të jetë për ta intensifikuar këtë përpjekje”, shprehet Hoxha.
/rtsh.al/