RTSH 24 Live

Politikë

Ndarja nga jeta e Gerti Bogdanit, politika shqiptare shpreh ngushëllimet

18/09/2024

Ndarja nga jeta e Gerti Bogdanit, politika shqiptare shpreh ngushëllimet

Politika shqiptare ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani në moshën 44-vjeçare.

Teksa ndodhej në një konferencë me gazetarët, Berisha ka mësuar mbi lajmin e hidhur, duke e konsideruar si rrufe në qiell të hapur.

Ai u shpreh se 44-vjeçare Gerti Bogdani ka qenë një politikan demokrat me formim e përgatitje në shkallën më të lartë.

Berisha konsideroi se ndarja nga jeta e Bogdanit, është një humbje e madhe për Partinë Demokratike.

“Ky lajm i zi në këtë moment më erdhi këtu në tavolinë. Ky është një lajm shokues. Gerti Bogdani ka qenë dhe do mbetet në memorien time njëri nga personalitetet e reja të PD më të njohura, më të shquara.

Ka qenë një politikan demokrat me civilitet, formim, përgatitje, ndershmëri, urtësi, në shkallën më të lartë.

Kjo është një humbje e madhe për Partinë Demokratike. Është një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare. Gerti Bogdani ishte nga ata të rinj pasardhës i një familje të shkëlqyer, të rreshtuar në fillim me PD. I shkolluar me rezultatet më të larta në shkollat më të mira të SHBA.

Ai midis një të ardhme në vendin ku u shkollua, ku kaloi vitet e rinisë studentore dhe kontributit për vendin e tij për PD, zgjodhi këtë të fundit. Ky lajm shokues për mua dhe çdo demokrat e çdo qytetar që ka njohur Gerti Bogdanin. Më erdhi në këtë moment si rrufe në qiell të hapur. Dy netë më parë e kam ndjekur në një studio televizive.

Mendoj se në rast se ka një njeri që njoh unë i cili tek çdo qytetar e qytetare, mik, shok, i njohur, ka lënë vetëm përshtypje pozitive në çdo takim, në çdo komunikim. Ky është Gerti Bogdani. Të kujtojmë kujtimin e ndritur të këtij personaliteti të shquar të tij”, u shpreh Berisha.

Begaj: Promovoi vlerat më të mira politike

Presidenti Barjam Begaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta në ish-deputetit të PD Gert Bogdani.

Begaj shprehet se ai ishte një nga promotorët më të mirë të vlerave politike në vend.

“Hidhërim për ikjen e beftë nga jeta të Gerti Bogdanit. Ngushëllime familjes së tij, bashkëshortes, të afërme, miqve dhe kolegëve! Gerti Bogdani, i angazhuar që në rininë e tij në jetën publike të vendit, promovoi vlerat më të mira në qeverisjen lokale, jetën parlamentare dhe atë politike, duke i shërbyer vendit, kauzës së të rinjve për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe integrimit në BE”, shkruan Begaj.

Rama: Keqardhje për ndarjen e parakohshme nga jeta

Keqardhje për ndarjen nga jeta të ish-deputetit Bogdani e ka shprehur edhe Kryeministri Edi Rama.

Ky i fundit i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit.

Keqardhje për ndarjen kaq të parakohshme nga jeta dhe ngushëllime bashkëshortes e familjes Bogdani”, shkruan kryeministri në rrjetin social Facebook.

Deputeti Sula: Të rrallë njerëzit si Gerti

Ngushëllimet për ndarjen nga jeta i ka shprehur edhe miku dhe kolegu i tij deputeti demokrat Dashnor Sula, i cili në një lidhje telefonike për emisionin “Jetë Shqiptare” tha se nuk e priste një lajm të tillë nga një person kaq i ri dhe sportiv si Gert Bogdani.

Sula tha se e mori vesh lajmin kur ishte në mbledhjen e grupit dhe se e kishte takuar për herë të fundit Bogdanin para disa javësh.

"Ngushëllime më të sinqerta bashkëshortes dhe familjes të Gertit. Ishte një baba i shkëlqyer, një koleg i shkëlqyer që rrallë mund të gjesh njerëz si ai dhe ri njohësh. Gerti meriton fjalët më të mira, i thjeshtë,  i edukuar, i respektuar, me këmbë në tokë. Kur mora vesh lajmin isha në mbledhje grupi dhe u shokuam të gjithë. Jemi të përkohshëm në këtë botë. E takova para disa javësh dhe ai ka qenë tip sportiv që lëvizte, por është fati i tij, nuk di çfarë të thuash. Do ruaj kujtimet më të bukura që kam patur me Gertin dhe aktivitetet politike që kam zhvilluar me të. Ai ka qenë një djalë i shkolluar dhe i kulturuar dhe rrezatonte mirësi dhe logjikë në debatet e tij. Nuk ka pasur kurrë revansh ndaj kundërshtarëve të tij politik. Ai nuk donte të dukej, por kontributi i tij politik në PD ka qenë gjithmonë prezentë”, tha Sula.

Basha: I tronditur, Gerti ka nderuar PD-në me përfaqësimin dinjitoz

Ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha shprehet i tronditur nga lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të Bogdanit, teksa vlerëson rolin e tij në Partinë Demokratike. Deputeti Lulzim Basha e konsideron të sotme një ditë zie. Ai deklaron se Gerti Bogdani ka qenë një politikan i talentuar e me vlera, i cili i shërbeu me integritet funksioneve publike duke nderuar Partinë Demokratike.

Jam i tronditur nga lajmi për largimin e papritur e të parakohshëm nga jeta të mikut dhe bashkëpunëtorit tim Gerti Bogdani. Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes në këto orë të vështira. Mendimet dhe lutjet e mija janë me ta në këtë dhimbje të madhe. Një shpirt i lirë dhe i përkushtuar ndaj të tjerëve, një politikan i talentuar dhe me vlera, Gerti shërbeu me pasion dhe integritet në funksionet e tij publike, duke nderuar Partinë Demokratike me përfaqësimin dinjitoz brenda dhe jashtë vendit.

Në këtë ditë zie, kur familja ka humbur njeriun e saj më të shtrenjtë, demokratët kujtojnë me respektin më të madh modelin e intelektualit konsensual dhe njërin nga përfaqësuesit e tyre më të përkushtuar, dhe unë një mik të paharrueshëm. U prehtë në paqe!”, shkruan Basha.

Peleshi: Gerti Bogdani, zë frymëzues në politikën shqiptare

Tronditës e ka konsideruar këtë ngjarje, edhe kryetari i grupit parlamentar socialist Niko Peleshi.

Ai shprehet se Bogdani ka qenë një zë frymëzues në politikën shqiptare.

“Tronditës lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut tonë Gerti Bogdani. Një zë frymëzues në politikën shqiptare, në mbështetje të të rinjve dhe profesionistëve.

U prehsh në paqe, Gerti”, shkruan Peleshi.

Salianji: Një nga të rinjtë me energjik të PD

Edhe kolegu i tij deputeti demokrat Ervin Salianji ka shprehur ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të Gerti Bogdanit. Salianji e cilëson si një nga të rinjtë më energjik të PD dhe një kontribuues i palodhur në jetën politike të vendit.

“E pabesueshme, kjo ikje pa kohë Gert! Tronditës lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta e mikut dhe ish-kolegut Gerti Bogdani. Një nga djemtë e mirë në Partinë Demokratike, një nga të rinjtë më energjik dhe kontribuues i palodhur që nga Forumi Rinor dhe deri në Parlamentin e Shqipërisë! Ngushëllime të sinqerta Edlirës, ​​familjes dhe miqve! Prehu në paqe Gerti”, shkruan Ervin Salianji.

Çuçi: Tronditëse! U prehsh në paqe e dritë të pastë shpirti

Deputeti socialist Bledi Çuiçi është shprehur i tronditur për ndarjen nga jeta të Bogdanit, ndërsa i shpreh ngushëllim familjes

“Lajm i kobshëm ndarja e papritur nga jeta e kolegut tonë dhe ish-deputetit, Gerti Bogdani. Zor të gjesh fjalët që zbusin peshën e rëndë të dhimbjes e të zemrave të bëra gur para tronditjes. Ngushëllime gratë, fëmijët e familjes së Gertit. U prehsh në paqe e dritë të pastë shpirti”, shkruan nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi.

Meta: Krijoi një model pozitiv për të rinjtë në politikë

Presidenti i Partisë së Lirisë, ilir Meta e ka cilësuar si shembullin ë pozitiv për të rinjtë në politikë, ndërsa shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Gertio Bogdanit.

“Thellësisht i trishtë nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani. Gjatë gjithë angazhimit të tij politik, ai krijoi një model pozitiv për të rinjtë duke u nxitur të gjithë pjesëmarrja e vendimeve. Ngushëllimet më të ndjera të lumtura Edlira, dy vajzat e tij, të afërmve dhe të gjithë të gjithëve të gjithëve, për këtë gjë të pazëvendësueshme. I paharruar kujtimi i tij! Të prehet në paqe!, shkruan Ilir Meta.

Veliaj: U prehtë në paqe!

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet familjarëve për ndarjen nga jeta të Gerti Bogdanit.

““I keqardhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të Gert Bogdanit – ngushëllime familjet dhe familjet. U prehtë në paqe!”, shkruan Veliaj.

 

Ndarja para kohe nga jeta e Gerti Bogdanit, PD shpall të enjten ditë zie! Anulohen të gjitha aktivitetet politike

Partia Demokratike, ka njoftuar se të gjitha aktivitetet  politike të kësaj partie në datat 18 dhe 19 shtator në të gjithë territorin do të anulohen.

“Në të gjitha selitë e Partisë Demokratike flamuri kombëtar dhe flamuri i PD do të ulen në gjysmështizë dhe në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjitha selitë e Partisë Demokratike”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë që ish-deputeti i PD-së u nda papritur nga jeta mesditën e sotme (18 shtator) dhe dyshohet për shkak të një arresti kardiak.

Bogdani po pinte kafe me miqtë e tij në një hotel në Tiranë kur ka shfaqur probleme shëndetësore. Ai u ka thënë se kishte vështirësi me frymëmarrjen dhe është larguar për në tualet.

Sipas burimeve për Panorama.al, kur Gerti Bogdani nuk është kthyer në tavolinë, miqtë e tij janë shqetësuar dhe kanë shkuar në tualet. Ata kanë hapur derën me forcë dhe e kanë gjetur të shtrirë në tokë pa ndjenja.

Më pas, është njoftuar ambulanca dhe ish-deputeti u dërgua në spitalin e QSUT ku mori ndihmën mjekësore, por nuk arriti që të mbijetojë.

 

/rtsh.al/