RTSH 24 Live

Kulturë

Festivali Internacional i Folklorit dhe Paqes, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore Prrenjas fiton Çmimin e Madh

17/09/2024

Festivali Internacional i Folklorit dhe Paqes, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore Prrenjas fiton Çmimin e Madh

Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Prrenjasit e përfaqësoi Shqipërinë në edicionin e XI të Festivalit të Folklorit dhe Paqes në Agropoli të Italisë dhe në fund të këtij eventi u nderua me  Çmimin e Madh të Festivalit Internacional të Folklorit dhe Paqes.

Në këtë event morën pjesë ansamble nga vende të ndryshme nga Evropa mes të cilave edhe nga qytetet italiane si nga Napoli, Siçilia, Agropuli etj. Artistët nga Bashkia e Prrenjasit kanë përjetuar emocione pafund dhe krenari të papërshkueshme gjatë konkurrimit pasi çdo performancë e tyre në skenë është mirëpritur e duartrokitur gjatë.

Një vlerë e shtuar që i dha më shumë identitet performancës së ansamblit ishin veshjet tradicionale të zonës së Prrenjasit, që morën vëmendje të jashtëzakonshme mes shumë grupeve folklorike pjesëmarrëse të festivalit, duke u vlerësuar me trofeun “Kostumografia më e mirë”.

Ardit Facja, zyrtar i Bashkisë Prrenjas e cilësoi sukses të jashtëzakonshëm paraqitjen e Ansamblit të Këngëve e Valleve në të gjitha aspektet dhe këtë e tregon jo vetëm vlerësimi që ju bë me Çmimin e Madh por edhe jehona që ju bë në mediat italiane punës së koreografit Valter Hana, drejtuesit të muzikës Elton Turtulli, instrumentistëve Çelnik Cani, Fatos Turtulli e Olsi Laçka.

Gjatë qëndrimit në Itali, Ansambli i Këngëve dhe Valleve i Bashkisë Prrenjas u prit edhe nga Kryetari i Bashkisë së Agropolit Roberto Mutalipassi. Në këtë takim artistët nga Prrenjasi u njohën edhe me kulturat e të gjithë vendeve pjesëmarrëse. Përveç shkëmbimeve artistiko-kulturore së shpejti do të ketë bashkëpunim me Bashkinë e Agropolit dhe në fusha të tjera.

/rtsh.al/