RTSH 24 Live

Kosovë

Situata në veri të Kosovës, Vuçiç urdhëron Forcat e Armatosura serbe të ngrihen në nivelin më të lartë të gatishmërisë

26/05/2023

Situata në veri të Kosovës, Vuçiç urdhëron Forcat e Armatosura serbe të ngrihen në nivelin më të lartë të gatishmërisë

Është tensionuar situata në veri të Kosovës, ku kryetarët e rinj të 3 komunave me shumicë serbe, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok janë futur në zyrat përkatëse me ndihmën e forcave të Policisë, për shkak të protestave.

Në Zveçan Policia përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të larguar protestuesit, ndërsa Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka reaguar duke akuzuar qeverinë e Kosovës për “dhunë të pashembullt”.

Sipas mediave serbe, Vuçiç, i cili është edhe Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura, ka nënshkruar një urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë në nivelin më të lartë.

Udhëheqësit e këtyre komunave me shumicë serbe, që të gjithë shqiptarë, u betuan të enjten (25 maj) në ndërtesa publike, si shkollat, për shkaqe të sigurisë, duke marrë kështu pushtetin lokal.

Zgjedhjet lokale në veri të Kosovës u mbajtën më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave nga radhët e Listës Serbe.

/rtsh.al/