RTSH 24 Live

Kosovë

Kosova nderon policët e rënë në detyrë, krerët e shtetit e quajtën frymëzim heroin Enver Zymeri

26/07/2024

Kosova nderon policët e rënë në detyrë, krerët e shtetit e quajtën frymëzim heroin Enver Zymeri

Në ditën përkujtimore të Policëve të rënë në krye të detyrës në Kosovë, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla tha se falë përkushtimit dhe vendosmërisë që ka shfaqur Policia, është arritur që të shtrihet sovraniteti, rendi dhe ligji në tërë territorin e vendit. “Heroizmi dhe sakrifica e Enver Zymerit dhe të të gjithë zyrtarëve policorë që kanë rënë në krye të detyrës, janë një burim frymëzimi dhe krenarie për të gjithë ne”.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla u shpreh se Enver Zymeri është kthyer në shembull dhe motiv për qindra vajza e djem që shërbejnë në çdo cep të Kosovës. “Çdo ditë u jam mirënjohës djemve e vajzave tona që bartin me nder e krenari uniformën e Policisë së Kosovës dhe shërbejnë e mbrojnë Republikën tonë, duke realizuar kështu aspiratat e 23 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në krye të detyrës”. – tha Sveçla.

Kurse  kryeministri Albin Kurti tha se Enver Zymeri është hero i ligjshmërisë demokratike dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ndërsa ka përkujtuar heroin e Kosovës, Kurti tha se ndryshe nga 13 vjet më parë, gjendja në terren në veri të vendit ka ndryshuar rrënjësisht.

“Rrjetet dikur të shtrira dhe të fuqishme të strukturave të paligjshme dhe kriminale në veri, të mbështetura nga Beogradi zyrtar, që për vite e kanë terrorizuar dhe mbajtur peng veriun e Kosovës, nuk e kanë më as shtrirjen dhe as forcën e dikurshme. Tani, policët e Kosovës e kontrollojnë veriun e vendit dhe shërbejnë për të gjithë qytetarët pa dallim sikur në çdo pjesë tjetër të vendit”, -tha Kurti, ndërsa theksoi se nivelin e lartë të Policisë e ka dëshmuar operacioni në Banjskë më 24 shtator 2023 gatë sulmit terrorist të grupit serb.

/RTSH/