RTSH 24 Live

Kosovë

Hapet qarkullimi në Jarinjë, pikëkalimet në Bërnjak dhe Merdare ende mbyllur

07/09/2024

Hapet qarkullimi në Jarinjë, pikëkalimet në Bërnjak dhe Merdare ende mbyllur

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha këtë të shtunë se në pikën e Jarinjës nuk është bllokuar kufiri.

Në pikën kufitare në Jarinjë qarkullimi i automjeteve në të dyja anët e kufirit edhe të automjeteve me targa serbe dhe atyre me targa të Kosovës është duke u zhvilluar pa problem,” tha Elshani. 

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të premten se dy pikëkalimet në Bërnjak dhe Merdare janë mbyllur pasi persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit po ndalonin në mënyrë selektive qytetarët që donin të kalojnë tranzit përmes Serbisë.

Ato do të mbeten të mbyllura deri sa gjendja të normalizohet dhe personat e maskuara të largohen,” u shpreh ai.

Përfaqësues nga disa shoqata serbe bllokuan një ditë më parë rrugët pranë tri pikave kufitare me Kosovën në territorin e Serbisë, Jarinjë, Bërnjak dhe Merdare duke mos lejuar të kalonin udhëtarët me dokumente të Kosovës. Kryetari i grupit qytetar të Qarkut të Mitrovicës për Kosovën, Rasha Rojeviç, tha se bllokada do të zgjasë derisa të tërhiqen forcat policore të Kosovës nga veriu i vendit, ndërsa i kërkoi misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, që të marrë kontrollin e veriut të Kosovës.

Reagimet e serbëve erdhën pas mbylljes së institucioneve paralele në veri që funksionin me sistemin e Serbisë.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/