RTSH 24 Live

Politikë

Rikthehen kritikët në PD- Analistët pohojnë se kjo i shërben hapjes së partisë

07/09/2024

Rikthehen kritikët në PD- Analistët pohojnë se kjo i shërben hapjes së partisë

Dy forcat e mëdha politike  PS në pushtet prej tre mandatesh dhe PD në opozitë, kanë ndezur morët duke riformatuar formacionet e  tyre  për zgjedhjet e 2025.  

Kryesia e Partisë Demokratike ka përcaktuar drejtuesit politikë në 12 qarqet e vendit, emra të cilët do të udhëheqin edhe listat e deputetëve në zgjedhjet vitit të ardhshëm.

Për analistin Ben Andoni,  emrat e përzgjedhure  nuk  ishin surprize , por nuk premtojnë ndryshime të mëdha  tek kjo force politike

“Në dukje , jo problematikë sikurse mundohen ta paraqesin një pjesë e njerëzve, por në brendësi kuptojë që lënë për të dëshiruar për atë që PD do që ti tregojë publikut. Njerëzit që caktohen në përballje nuk marrin përgjegjësi prandaj PD po bjerret nga koha në kohë. Unë mendoj se të rikthyerit në PD i bëjnë mirë partisë, por moralit të tyre i bënë shumë keq. Kanë treguar se nuk janë konsistentë! ” u shpreh analisti Ben Andoni.

Ndërsa analisti Agim Baçi  thotë se emrat e zgjedhur nga kryesia PD , kanë sfidën e pare me  bazën e me pas më elektoratin.

“Nuk e kanë sfidën me njëri-tjetrin, nuk e kanë as me grupin, por e kanë sfidën fillimisht me bazën  e partisë pastaj e kanë me publikun e gjerë.  Ajo që ka ndodhur brenda PD-së, qoftë me emërimet e drejtueseve të qarqeve apo në Këshillin Kombëtar ka të bëjë me gjithë bazën e partisë. Ndërsa të rikthyerit nuk e di se si do i shpjegojnë bazës ato që kanë thënë më parë për Berishën”.

Rikthimin e kritikeve të Berishës  pranë PD , analistët e lexojnë si mungesë konsistence personale  të të kthyerve , çka e i bën dëm kredibilitetit të tyre personal jo partiak.

Përçarjet Brenda PD , vijojnë të mbeten prezentë, ndërsa eksponentë kandidatë për deputet pretendojnë të fitojnë sa më shumë pikë për të qenë në listën e sigurtë për zgjedhjet e 2025

Kryesia  e Partisë Demokratike pas zgjedhjes së drejtuesve të 12 qarqeve është përfshirë nga debatet. Rikthimi i  kritikëve të Berishës  shihet si nga ogur i keq  për disa anëtarë të kësaj force politike . Ndërsa analistët e shohin si një hapje të opozitës, por e pa mjaftueshme për të rritur kreditë në sytë e publikut.

 

/rtsh.al/