RTSH 24 Live

Politikë

Veliaj nën hetim pasuror, Rama: Linçimi publik ndaj tij është i neveritshëm

30/12/2024

Veliaj nën hetim pasuror, Rama: Linçimi publik ndaj tij është i neveritshëm

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me vënin nën hetim nga SPAK të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e quajtur linçimin e tij publik të neveritshëm dhe se po i cenohet jeta familjare nga një "gjyq publik".

Kryeministri ka bërë të qartë se qëndrimi i tij nuk ndryshon për sa i përket çështjeve që lidhen me drejtësinë: "Unë nuk bëj komente për çështje që i takojnë drejtësisë", theksoi ai, por dënoi “hetimin publik” që cenojnë dinjitetin personal të Veliaj.

“Përkohësisht di që Veliajt i cenohet jeta e tij familjare nga gjyqi publik i bërë jo nga institucion përkatës por nga të gjithë ata që janë angazhuar në atë gjyq. I cenohet dinjiteti nga prokurorë e gjyqtarë të ulur në klube mediative apo të fshehur pas ekraneve të portaleve këtë e di me siguri. Sa i përket pjesës tjetër nuk bën përjashtim askush nga ajo që unë kam thënë “unë nuk bëj komente për çështje që i takojnë drejtësisë”, ky është qëndrimi im. Mund të bëj koment për një vendim të formës së prerë siç kamë bërë për një shpifës, ku shpifja është bërë mbret dhe e vërteta është kthyer në skllav. Linçimi publik i Veliajt është i neveritshëm dhe që kërkimi i gijotinës për të është skandaloz”, tha Rama.

Rama tha se fakti që nuk komenton vendimet e drejtësisë janë “vendimmarrje strategjike” si në dëshmi për të drejtuar se politika nuk mund të fusë më duart në drejtësinë e re.

“Ju mund të thoni se e solli SHBA me aeroplan apo BE me vapor, por ai që njeh historinë e reformës në drejtësi mjafton të kthehet pas në histori kur ne ishim në opozitë, se janë në dokumente, PS ia ka çuar qeverisë së asaj kohe një dokument propozimesh që quhej pakti për shtetin e së drejtës. Komente që nuk i bëj për drejtësinë është vendimmarrje strategjike, i kemi hequr duart nga ai pushtet. Unë jam këtu për historinë dhe në këtë kohë ne po bëjmë histori”, tha Rama.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj është në hetim pasuror nga SPAK për 4 vepra penale: “Korrupsion pasiv dhe aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.

/rtsh.al/