RTSH 24 Live

Kosovë

Osmani për heqjen e vizave: Ndikim negativ në shtrirjen e sundimit të ligjit në Kosovë

24/07/2024

Osmani për heqjen e vizave: Ndikim negativ në shtrirjen e sundimit të ligjit në Kosovë

Në një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se heqja e vizave për serbët me pasaporta , që siç thotë ajo,  janë të paligjshme, ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në të gjithë Kosovën.

“Duke folur për zhvillimet e fundit në vend, Presidentja shprehu shqetësimin për vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për t'ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që kanë pasaporta ilegale serbe, duke theksuar se ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën si dhe atakon përpjekjet për integrimin e komunitetit serb në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në takim u diskutua edhe për pjesëmarrjen e presidentes në aktivitetet në kuadër të Samitit të NATO-s.

“Duke e vlerësuar ftesën e SHBA-ve dhe praninë e Kosovës në këto aktivitete kyçe të Samitit si një zhvillim strategjik në dobi të përparimit dhe ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajon dhe përtej, Presidentja Osmani theksoi ndikimin pozitiv që do të kishte anëtarësimi i Kosovës në NATO për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme dhe afatgjate”, vijon njoftimi, në cili thuhet se Osmani dhe Hovenier diskutuan edhe për takimet e fundit të presidentes me zyrtarë të lartë amerikanë si dhe hapat konkretë që duhet të ndërmerren në vijim për sa i përket koordinimit të veprimeve në dobi të interesave të Kosovës dhe të partneritetit me SHBA-të”.

“Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për një sërë nismash ligjore që po trajtohen nga institucionet kohët e fundit, ndërsa  konfirmuan rëndësinë që të garantohet respektimi i parimeve demokratike dhe standardeve më të larta për të drejtat e njeriut”, -  përfundon njoftimi i Presidencës së Kosovës.

/RTSH/