RTSH 24 Live

Politikë

Situata në veri të Kosovës, Rama: Duhet kombinuar dialogu i lehtësuar nga BE-ja, me një qëndrim më të fortë të NATO-s

11/07/2023

Situata në veri të Kosovës, Rama: Duhet kombinuar dialogu i lehtësuar nga BE-ja, me një qëndrim më të fortë të NATO-s

Kryeministri Edi Rama, i cili po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Vilnius, Lituani, ka zhvilluar një bashkëbisedim me Eksperten e Qendrës Evropiane të Këshillit të Atlantikut, Rachel Rizzo. Rama është ndalur në dy pika kryesore gjatë këtij bashkëbisedimi: situate në veri të Kosoës; kërkesa e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO.

Lidhur me situatën në Ballkanin Perëndimor, specifikisht në veriun e Kosovës, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se ndjehet më i qetë pas fjalës së  presidentit amerikan Biden, sot në këshillin e NATO-s.

Sipas tij, problemet në Ballkanin perëndimor nuk janë në madhësinë e problemeve të Ukrainës, por duhet nënvizuar se ato nuk janë probleme të vogla.

“Është e rrezikshme që Kosova, në veriun e saj, të bëhet një vatër zjarri. Lehtësimi i daialgut duhet medoemos. BE-ja po e lehtëson atë. Por ka probleme me grupet kriminale në veri të Kosovës, të përfshira në trafik droge, armësh etj. Kjo përzierje e mafias me pushtetarët vendorë mund të jetë një situatë shpërthyese. Është koha të kombinojmë dialogun e lehtësuar nga BE-ja, me një qëndrim më të fortë të NATO-s nëpërmjet KFOR-it“- theksoi Rama.

Rama: Për Ukrainën në NATO vendosin të mëdhenjtë

Lidhur me kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në NATO, Rama la të kuptohet se një vendim i tillë merret nga të mëdhenjtë në NATO.

“Ne jemi një vend i vogël në NATO. Nuk më takon mua të marr vendime të vështira dhe të mëdha. Ka një qëllim të plotë nga të gjithë për të mbështetur Ukrainën. Të gjithë janë të përkushtuar për ta ndihmuar. Ne e kemi mësuar vlerën e lirisë dhe të demokracisë. Ne kemi qenë të deprimuar nga metodat më brutale, madje edhe brenda kampit komunist të lindjes. Pyetja është se si demokracitë do të mund ti bëjnë ballë një diktatori, apo një regjimi brutal. Putini s‘ka kë të dëgjojë.“- tha Rama.