RTSH 24 Live

Sociale

Shqipëria po plaket me shpejtësi, Ylli: Kërkohen plane të reja demografike

4 orë para

Shqipëria po plaket me shpejtësi, Ylli: Kërkohen plane të reja demografike

Shqipëria ka humbur në tri dekadat e fundit një të tretën e popullsisë së saj në emigracion, kryesisht të rinjtë, duke lënë pas një shoqëri më të plakur e për pasojë me më shumë nevoja.

"Jemi një shoqëri që po plakemi. Barra e nevojave për kujdes ndaj të moshuarve po rritet në Shqipëri. Mbi 60% e problemeve janë tek moshat mbi 65% të cilët shoqërohen nga sëmundjet kronike kardiovaskulare, diabet, tension etj." thotë Alban Ylli, ekspert i geriatrisë, një degë e mjekësisë që merret me problemet dhe sëmundjet e personave të moshuar.

Për të përballuar valën e re të nevojave të moshimit, Shqipërisë i duhet një plan i ri demografik dhe zgjidhje të reja për moshimin.

"Të moshuarit nuk rrinë dot gjatë nëpër spitale. Jo vetëm për kostot që janë të papërballueshme edhe për perëndimin, por sepse nuk është e dobishme të rrish gjatë në spital. Kjo nuk prodhon më shumë shëndet. Të moshuarit duhet të rrinë në shtëpitë e tyre. Edhe qendrat rezidenciale nuk janë zgjidhje. Mund të shërbejnë vetëm në raste ekstreme, por të moshuarit duhet të rrinë në shtëpitë e tyre, në komunitet. Kujdesi duhet të jetë afatgjatë në banesë. Plani i moshimit duhet të rishikohet," tregon z. Ylli.

Eksperti i geriatrisë në ISHP thekson se zgjidhjet duhen parë te kujdestarët informalë brenda në shtëpi.

"Unë besoj fort se bashkëfinancimi i kujdesit në shtëpi me angazhimin si të kujdestarit informal, të infermierit nga qendrat shëndetësore dhe të punonjësit social nga bashkitë, mund të jetë një zgjidhje për këtë valë të re nevojash që po vjen për shkak të moshimit dhe uljes së moshës së re. Duhet të përgatitemi për një balancë të re demografike. Jemi shoqëri më e moshuar dhe teorikisht duhet të merremi seriozisht me shëndetin që në moshë të hershme. Duhet të rrisim produktivitetin me individë që jetojnë më mirë, që ndihmojnë njëri-tjetrin si dhe duhet të mbështesim familjet e reja për lindje të reja," shton eksperti i ISHP-së.

Sipas të dhënave të censit të fundit, përqindja e të moshuarve mbi 65 vjeç me të paktën një paaftësi ka rënë nga 23% në 19%, duke pasur kështu një moshim aktiv më jetëgjatë.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/