RTSH 24 Live

Sociale

Tiranë- Muzika e lartë në orët e vona ua bën jetën ferr banorëve, pas denoncimit policia prangos 4 shtetas

31/10/2024

Tiranë- Muzika e lartë në orët e vona ua bën jetën ferr banorëve, pas denoncimit policia prangos 4 shtetas

Zhurma nga muzika e lokaleve në Tiranë, edhe pas orës 23 që ligjërisht është e ndaluar, gjithnjë e më shumë duket se ua ka kthyer jetën në një ferr të vërtetë mjaft banorëve në kryeqytet. Qetësia, gjumi dhe përqendrimi janë thuajse të pamundura.

"Fasha e orarit për sezonin e verës, për aktivitetet muzikore normale të përditshme, ishin nga ora 12 e drekës deri në orën 12 të natës, në përputhjen me hartat e bërë nga Bashkitë dhe Policia e Shtetit, të cilave iu dhanë kompetencat për të matur, kontrolluar, monitoruar apo penalizuar aktivitetet ekonomike që nuk i respektojnë këto norma.", deklaroi ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.  

Pas sezonit turistik, fasha e orarit është nga ora 12 e drekës deri në orën 23: 00, ndërsa në fundjavë deri në orën 24:00.  

Por muzika vazhdon edhe pas orës 23:00, që është kufiri ligjor. Një situatë e tillë ndodh në shumë zona të tjera të kryeqytetit duke filluar që nga "Bulevardi Dëshmorët e Kombit", "Pas Piramidës", Rruga "Myslym Shyri", "Rruga e Kavajës", si dhe në disa zona të tjera .

Banorët, shpesh nëpërmjet denoncimeve në polici, janë ankuar për këtë fenomen, i cili ende vijon thuajse me të njëjtin intensitet.

Madje ka disa raste që pronarët e lokaleve, edhe pse në shkelje të ligjit, kanë reaguar edhe ashpër ndaj policisë për denoncimet e qytetarëve për zhurmat e lokaleve, duke kundërshtuar zbatimin e ligjit, madje dhe duke u përplasur fizikisht me policinë.

Rasti më i fundit është ai i raportuar nga vetë Policia e Tiranës, e cila ka prangosur 4 persona, pasi kanë kundërshtuar policinë, zbatimin e ligjit e deri duke u përplasur edhe fizikisht me policinë.

Shkak për këtë situatë ka shërbyer ankesa e një qytetareje për zhurmat që vinin nga një lokal pranë banesës së saj. Situata ka degraduar deri në konfrontim fizik dhe përleshje fizike me Policinë e Tiranës e 6 personave, 4 prej të cilëve u prangosën.

Komisariati nr. 2 njoftoi të enjten se agjentët e Seksionit të Hetimit të Krimeve prangosën pas procedurave të para ka prangosur E. Sh., 40 vjeç, A. K., 21 vjeç, E. P., 21 vjeç, D. O., 21 vjeç, banues në Tiranë.

Incidenti ndodhi në zonën e "Tiranës së re". Ata janë të dyshuar për veprat penale "kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik", "goditjet për shkak të detyrës", "kanosja për shkak të detyrës" dhe "prishja e qetësisë publike".

Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit O. S., 21 vjeç, dhe E. L., 51 vjeçe, për veprat penale "mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik" dhe "prishja e qetësisë publike".

 “Këta persona, mbrëmjen e djeshme (30 Tetor), në rrugën "Tish Daija", kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanosur për shkak të detyrës punonjësit e Policisë, si dhe një qytetare që kishte njoftuar shërbimet e policisë për prishje të qetësisë publike, në një lokal”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Të 4 të arrestuarit dhe dy të hetuarit i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë. Zhurmat në Tiranë kanë tejkaluar çdo kufi dhe normë të përcaktuar nga BE. Pak vite më parë KLSH nxori në pah mungesën e politikave për uljen e nivelit të zhurmave në vend.

/rtsh.al/