Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, gjatë një vizite në Spitalin Universitar të Traumës, bëri të ditur planin e masave të marra për natën e ndërrimit të viteve, si dhe në ditët e para të Vitit të Ri.
Ministrja Koçiu tha se të gjitha strukturat shëndetësore në të gjithë vendin do të jenë në gatishmëri të plotë.
"Jo vetëm Spitali i Traumës dhe QSUNT, por edhe spitalet rajonale dhe ato bashkiake. Në shërbim të qytetarëve që do të jenë mbi 2 mijë mjekë, infermierë dhe personel shëndetësor”, tha ajo.
Gjithashtu, Koçiu ka theksuar se në gatishmëri do të jenë edhe strukturat e sistemit parësor. Në Tiranë do të jenë 6 qendra shëndetësore që do të ofrojnë shërbim 24/7 për urgjencat pediatrike, për të lehtësuar fluksin në urgjencën e Spitalit Pediatrik pranë QSUNT-së.
Ministrja Koçiu bëri të ditur se në 2025 do të nisë edhe rikonstruksioni i godinës qendrore të Spitalit të Traumës me mbështetjen e buxhetit të shtetit. Ajo përcolli edhe mesazhin e urimit për të gjithë mjekët, infermierët, personelin e spitaleve dhe urgjencave në të gjithë vendin, e veçanërisht për stafet shëndetësore që do të jenë në krye të detyrës në këto ditë festive.
Në Tiranë do të jenë 6 qendra shëndetësore nr. 1 Tefta Tashko, qendra shëndetësore nr. 4 – Siri Kodra, qendra shëndetësore nr. 10 – Oxhaku, qendra shëndetësore nr. 8 – Sheshi Wilson, qendra shëndetësore nr. 7 – Laprakë, qendra shëndetësore nr. 6 – Kombinat.
/rtsh.al/