RTSH 24 Live

Sociale

105 familje të pastreha në Mirditë, kryebashkiaku: Procesi i rindërtimit rinisë gjatë 2025

02/01/2025

105 familje të pastreha në Mirditë, kryebashkiaku: Procesi i rindërtimit rinisë gjatë 2025

Viti 2025 i gjeti të pastreha 105 familje në Mirditë, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26-nëntorit të 2019-tës. Atyre iu është ndërpre dhe bonusi i qirasë dhe situata për ta është mjaft e vështirë.

Shqetësimi është ngritur nga kryetari i Bashkisë Mirditë Albert Mëlyshi, sipas të cilit njësia vendore e ka të pamundur të ndërtojë shtëpitë dhe është kërkuar mbështetja e qeverisë që ka premtuar se procesi i rindërtimit nga tërmeti do të rinisë përgjatë vitit 2025.

“Janë momente të vështira. Një pjesë e madhe e tyre janë ende në kontejnerë ose te familjarët e tyre. Me të drejtë banorët vijnë në zyrat e bashkisë edhe pse kjo është përtej kapaciteteve të saj. Këtë vit sipas bisedave që kemi bërë me ministrinë përkatëse është thënë se do fillojë përgjatë 2025”, u shpreh Melyshi.

Krahas Lezhës dhe Kurbinit edhe Bashkia e Mirditës ishte një ndër zonat e prekura nga tërmeti.

Në Rrëshen është ndërtuar një lagje e re, por nuk është arritur që të sistemohen të gjitha familjet të cilat ngelen të pastreha nga lëkundjet e forta sizmike të 5 viteve më parë

/RTSH/